‘Me fëmijët merret gruaja, prandaj e kam lënë në shtëpi’, një shkrim për baballarët.

“Me fëmijët merret gruaja, prandaj e kam lënë në shtëpi, nuk e nxjerr as në punë”… ose një shprehje tjetër, “Po ti je nëna” – ky justifikim artikulohet që nga politikanët e deri te tregtarët e vegjël. Babai nuk ka kohë, ai është i zënë me punë jashtë shtëpisë. Madje edhe kur burri është pa punë, nuk merret me fëmijët e tij dhe jo pse nuk do, por sepse nuk di.

Ai nuk di të sillet me fëmijën, pasi as nuk ka parë e as nuk e ka jetuar një gjë të tillë. Por kjo nuk do të thotë që ai nuk duhet ta bëjë detyrën, përkundrazi. Gjithmonë e më shumë po shtohet numri i baballarëve që përfshihen në jetën e fëmijëve, por ende vazhdon të mbizotërojë numri i baballarëve që nuk e shohin detyrë të tyre përfshirjen me përgjegjësi në jetën dhe edukimin e fëmijës.

Ata e duan shumë fëmijën e tyre, por nuk e njohin! I plotësojnë dëshirat që u duken atyre se janë dëshirat e fëmijës, por në të vërtetë janë dëshirat e munguara dhe të pajetuara të fëmijërisë së tyre. Të duash fëmijën nuk do të thotë t’i blesh rroba, makina, lodra apo t’i bësh një dhomë që prindit i duket e bukur. Kjo formë që prindi zgjedh të ndërtojë me fëmijën, është formë komerciale. Është sikur bën një kontratë “Unë po të blej sendet, ti më lër rehat”.

Me fëmijën nuk krijohen marrëdhënie kontraktuale. Marrëdhënia prind-fëmijë, baba-fëmijë është marrëdhenie themel e njeriut me njeriun nëpërmjet vetëdijes, ku sendet kanë vlerën minimale. Të duash fëmijën, do të thotë të jesh aty kur e hedh hapin e parë, ku fëmija, si Atlasi, mban gjithë universin njerëzor mbi kurriz dhe i duhet të lëvizë këmbët që të shkojë përpara. Është një fuqi gjigante, që i vogli i njeriut vë në lëvizje, për të hedhur hapat e para; për të mos folur pastaj për dhjetëfishin tjetër të energjisë që i duhet për të artikuluar fjalën.

Do ishte mirë që në këto çaste të ishte pranë tij babai, ta inkurajonte dhe të krenohej me të. Jo më kot të gjithë popujt, në të njëjtën kohë, pa lidhje me njëri-tjetrin, krijuan të njëjtën shprehje: ”Nëna më mëkoi, babai më mësoi!” Figura e babait është një figurë po aq e rëndësishme dhe qendrore sa dhe ajo e nënës. Një shkrim nga Lira Gjika