Qepët mund të konsiderohen si një ushqim kryesor në shumë pjesë të botës, por ka një shtet ku çmimi i tyre është i paarritshëm.
Prej gati një muaji qepa duket se është kthyer në një artikull luksi në Filipine. Në fakt, rritja e çmimit që ka regjistruar është e tillë që tashmë e ka vendosur mbi mishin. Për momentin, një kilogram qepë në Filipine kushton rreth 10.15 euro , ndërsa një pulë e tërë mund të blihet për vetëm 3.69 euro.
Çmimi i qepëve është më i lartë se paga minimale ditore në vend, e cila llogaritet rreth 8.30 euro. Për më tepër, ajo që mund të mos dini është se Filipinet janë një nga importuesit më të mëdhenj të qepëve në botë, duke konsumuar më shumë se sa prodhon. Mund të jenë ushqimi kryesor për filipinasit, por janë të vështira për t’u ruajtur për shkak të kushteve të motit.
Sipas ekspertëve, dy janë faktorët që shpjegojnë këtë rritje historike të çmimit të qepës. Nga njëra anë, të korrat e dobëta që ndodhën vitin e kaluar për shkak të tajfunit të madh që shkatërroi Filipinet midis Gushtit dhe Shtatorit, por edhe fakti që importi i qepës filloi më vonë se zakonisht, gjë që bëri që çmimi të rritet.
Autoritetet e vendit kanë sekuestruar disa ngarkesa të paligjshme qepësh, përfshirë një nga Kina me vlerë 286,000 euro. Kjo rritje e çmimit të qepëve ka ndikuar edhe në sektorin e kateringut , pasi disa restorante kanë ndërprerë vendosjen e ushqimeve me qepë në menutë e tyre.
Megjithatë, për shumë njerëz, zgjidhja është një lloj qepe që prodhon vendi, e quajtur lasona. Megjithatë, ajo ndryshon në shije dhe madhësi nga qepët klasike që njohim./tvklan.al