Mbyllet me sukses kursi UEFA C në Elbasan, diplomohen 34 trajnerë të rinj

Në qytetin e Elbasanit është mbyllur me sukses kursi UEFA C, një tjetër hap i rëndësishëm në programet e zhvillimit të trajnerëve të rinj të futbollit shqiptar. Në këtë edicion u diplomuan 34 studentë, mes tyre edhe 2 vajza, duke reflektuar rritjen e pjesëmarrjes dhe përfshirjes në fushën e trajningut sportiv.

Ceremonia e diplomimit u zhvillua në një atmosferë shumë pozitive dhe miqësore. Në aktivitet morën pjesë Erjon Stavri, Koordinator i Kursit UEFA C, si edhe përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit. Të pranishëm ishin Abdyl Kuriu, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, dhe Ilirjan File, Kryetar i Shoqatës së Futbollit të Elbasanit, të cilët përgëzuan të diplomuarit për përkushtimin dhe punën e bërë gjatë gjithë fazave të kursit.

Përfundimi me sukses i këtij kursi përbën një vlerë të shtuar për komunitetin e futbollit në Elbasan dhe për zhvillimin e trajnerëve të rinj në mbarë vendin, duke vijuar misionin e FSHF-së për rritjen e cilësisë së futbollit në çdo nivel.

Në vijim, trajnerët e rinj do të kenë mundësinë të aplikojnë njohuritë e fituara në akademi, klube dhe projekte të ndryshme zhvillimore, duke kontribuar në përparimin e futbollit bazë.