ISHP konfirmoi 19 raste me koronavirus në raportimin e ditës së sotme për Elbasanin duke shënuar kështu shifrën më të lartë brenda 24 orëve që prej fillimit të pandemisë. Ndërkohë, sic raporton për abcnews.al gazetari Aldo Kozarja, e infektuar është edhe drejtoresha e Drejtorisë Arsimore të Elbasanit duke bërë kështu që të mbyllet kjo drejtori.
Elbasani numëron aktualisht 64 raste aktive me koronavirus, ndërsa që prej fillimit të pandemisë në këtë rreth kanë ndërruar jetë 7 pacientë. Kjo e shtunë ka regjistruar sërish një bilanc negativ të koronavirusit! 4 humbje jete janë konfirmuar ditën e sotme me COVID-19, teksa 124 persona nga 500 të testuar kanë rezultuar pozitiv. Në bilancin ditor të Ministrisë së Shëndetësisë bëhet e ditur se humbje jete ka pasur në Shkodër dhe Tiranë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje edhe njëherë bizneseve, institucioneve, të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë, të miratuara nga autoritetet shëndetësore. Një apel edhe për qytetarët që të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave të vendosura. Ruani distancën fizike, lani shpesh duart, përdorni maska ose barriera mbrojtëse në ambiente publike apo kudo ku nuk është e mundur të ruhet distanca, dezinfektoni objektet dhe ajrosni ambientet ku qëndroni”