Xhonatan Lajthia po konfirmohet gjith një e më shumë si një nga lojtarët më vendimtarë të Elbasanit këtë edicion. Në barazimin 2-2 ndaj Partizanit, ai ishte protagonisti absolut, duke shënuar të dy golat e skuadrës në një ndeshje të vështirë dhe me intensitet të lartë, ku verdheblutë u detyruan të luanin për një kohë të gjatë me një lojtar më pak. Mesfushori po kalon një moment shumë pozitiv, duke treguar vazhdimësi dhe pjekuri në lojë.
Deri tani, ai ka realizuar pesë gola në total këtë sezon, duke përfshirë edhe rrjetën e tundur në Kupë ndaj Flamurtarit, çka e bën një element kyç jo vetëm në kampionat, por edhe në kompeticionet e tjera ku Elbasani synon të shkojë larg. Aktualisht në vendin e dytë në renditje, verdheblutë janë vetëm një hap larg kreut dhe plotësisht në garë për objektivat e sezonit.
Në intervistën e dhënë enkas për “Panorama Sport”, Lajthia flet për dopietën, për forcën e ekipit në momente të vështira, për ambiciet në vazhdim dhe për faktin se rivali më i madh i Elbasanit mbetet vetë skuadra, e cila synon të japë maksimumin në çdo takim, duke nisur nga sfida e radhës në shtëpi ndaj Teutës.
Lajthia, sa i kënaqur je me dopietën dhe kujt ia dedikon?
Ishte një ndeshje shumë e fortë dhe me intensitet të lartë. Gjërat u vështirësuan edhe më shumë pas kartonit të kuq, por pikërisht në atë moment gjetëm forcën për ta përballuar situatën si ekip. Jam shumë i lumtur për dopietën, sepse arrita të ndihmoj skuadrën në një moment të vështirë. Golat ia dedikoj tifozëve të Elbasanit, të cilët na kanë mbështetur pa pushim dhe kanë qenë gjithmonë pranë nesh.
Për mënyrën sesi shkoi ndeshja, jeni të kënaqur me një pikë?
Duke parë rrjedhën e ndeshjes, një pikë është e pranueshme, sidomos kur luan për një pjesë të madhe të takimit me një lojtar më pak. Mund të kishim dalë edhe me fitore, por gjithsesi t’i kënaqemi asaj që morëm në fund.
Vendi i dytë në klasifikim, a ju kënaq?
Po, vendi i dytë na kënaq sepse tregon që jemi në rrugën e duhur. Jemi në zonën “Top 4” dhe vetëm një hap larg vendit të parë. Kjo na motivon edhe më shumë për të vazhduar punën dhe për të synuar objektiva edhe më të mëdha.
Ndeshja e radhës me Teutën, si e prisni dhe çfarë synoni?
Me Teutën luajmë në shtëpi dhe, si gjithmonë, do të futemi në fushë për të dhënë 100% nga vetja. Synimi ynë është të marrim maksimumin nga çdo ndeshje, duke luajtur me përqendrim, sakrificë dhe besim te forca jonë si skuadër.
Cilin shihni rivalin më të fortë këtë edicion?
Rivali ynë më i fortë është vetvetja. Nëse arrijmë të ruajmë nivelin, përqendrimin dhe mentalitetin e duhur në çdo ndeshje, atëherë mund të përballojmë çdo kundërshtar.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.