Saturday , April 19 2025

Mazniku: Në Elbasan, PS merr së paku 9 mandate! Në rang Republike më tepër se 78 mandate

Arbjan Mazniku, drejtuesi politik i PS për qarkun Elbasan, i ftuar në studion e News 24, foli për pritshmëritë që ka Partia Socialiste në zgjedhjet e 11 majit.

Mazniku tha se PS do të fitojë së paku 9 mandate deputetësh në Elbasan dhe së paku 78 mandate në mbarë Republikën.

 “Ne do të marrim më shumë se 9 mandate në Elbasan. Në rang vendi PS merr më shumë se 78 mandate. Unë besoj tek lidhja e politikës me qytetarin. Nuk ka magjistar që mund të zëvendësojë lidhjen e politikës me qytetarin. PS ka njerëz edhe në fshatin më të thellë të Gramshit dhe përqasim programin me hallet e qytetarëve, kudo ata jetojnë. PS është makineri elektorale, ka struktura kudo në Shqipëri. Integrimi në BE është një aspiratë 100-vjeçare e shqiptarëve dhe më në fund mund të bëhet realitet”, tha ai.

Mazniku komentoi edhe arrestimin e burgosjen e Veliajt. Ai tha se Veliaj është miku i tij. Kur u pyet nëse e di se kush mund të jetë Nesti Angoni, Mazniku deklaroi se nuk merret me thashetheme.

“Nuk kam biseduar me Veliajn, kam biseduar me familjarë të tij. Rama ka pasur qëndrim të qartë për këtë çështje. PS ka mbajtur pozicion të ekuilibruar qartësisht, për një proces të drejtë. Veliaj është mik i imi, por drejtësia duhet të bëjë punën e saj, ai ka betejën e tij. Nuk kam çfarë të shtoj nga pozicioni që ka mbajtur kryeministri. Nuk e di kush është Nesti Angoni, nuk merrem me thashetheme. Garancia e drejtësisë së re është PS”, deklaroi Mazniku.