Në një takim të mbajtur me banorët e lagjes “5 Maji”, drejtuesi politik i Qarkut të Elbasanit, Arbjan Mazniku, Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja dhe deputetja Evis Kushi shprehën mbështetjen e tyre të palëkundur për kandidaturën e Florenc Spahos në zgjedhjet e 11 majit. Ky takim shërbeu si një tjetër dëshmi e fuqisë që ka komuniteti në këtë zonë dhe e rëndësisë së përfaqësimit të tij dinjitoz në Parlamentin Shqiptar.

Kryebashkiaku Llatja vuri në dukje punët e shumta të realizuara në lagjen “5 Maji” dhe në të gjithë Elbasanin, duke theksuar se mbështetja për Florenc Spahon është vendimtare për t’i dhënë vazhdimësi investimeve në infrastrukturë, ndriçim dhe kanalizime.

Arbjan Mazniku theksoi nevojën që Rajonet 4, 5 dhe 6 të kenë një përfaqësim të denjë në Kuvend: “Ti japim kësaj zone mundësinë të përfaqësohet me dy deputetë – Florenc Spahon dhe Evis Kushin.” Ai e përshkroi Spahon si një deputet gjithmonë të pranishëm për qytetarët, që nuk i mbyll kurrë telefonatat. “Është i vetmi kandidat që ka vendosur numrin e tij personal në fletpalosje, një numër që e ka përdorur për 20 vite. Kjo flet shumë,” – tha Mazniku.
Evis Kushi, në fjalën e saj, u bëri thirrje banorëve që në ditët e mbetura deri më 11 maj të angazhohen maksimalisht për të përhapur mesazhin e fitores dhe për të forcuar mbështetjen për Spahon: “Florenci është mjek i përkushtuar dhe përfaqësues i denjë, një zë që na duhet në rrugën drejt BE-së.”
Florenc Spaho përmbylli takimin me një apel për besim dhe bashkim rreth Partisë Socialiste: “Elbasani këtë herë do të dalë me 9+ mandate. Zemra e kësaj fitoreje është lagjja ‘5 Maji’. Me ndihmën tuaj, do t’i japim zë çdo cepi të këtij qyteti në Kuvend.”