Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu bashkë me Kryetarin e Grupit Parlamentar të PS kanë inspektuar qendrën e re shëndetësore të Cërrikut, të rehabilituar me standardet më të mira. “Në kuadër të programit të qeverisë shqiptare për rindërtimin e 300 qendrave shëndetësore edhe kjo qendër shëndetësore tashmë ofron kushte dinjitoze pune për mjekët, për infermierët dhe shërbime cilësore për qytetarët. Unë jam e kënaqur sepse këto kushte të cilat janë përmirësuar, kanë krijuar edhe aksesin për të ofruar jo vetëm shërbimet bazë, por për të krijuar kushtet e mira edhe për programin e vaksinimit”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se do të vijë sërish një dërgesë prej mbi 14 mijë doza të vaksinës Pfizer, teksa vijon vaksinimi i kombinuar i qytetarëve mbi 50 vjeç dhe i të gjithë punonjësve të shërbimeve kritike.
“Ditën e hënë pritet të mbërrijnë rreth 14 mijë vaksina nga Pfizer, duke e çuar në mbi 1 milion vaksinat e mbërritura në Shqipëri dhe tashmë më shumë se 926 mijë vaksina janë kryer në të gjithë vendin. Jam e kënaqur që rrejti i qendrave shëndetësore, infrastruktura që ne kemi ngritur, siguron kushtet edhe për një vaksinimin në të gjithë vendin”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se programi i vaksinimit do të vijojë përgjatë sezonit veror, duke bërë me dije se për ata të moshuar që e kanë të pamundur për të shkuar në qendrat shëndetësore, vaksinimi i tyre të kryhet në kushte shtëpie.
“Ne duhet të vijojmë programin tonë të vaksinimit dhe përgjatë gjithë sezonit veror fokusi do të jetë vijimi dhe intesifikimi i vaksinimit kudo në komunitet, duke siguruar që edhe ata të moshuar që ende nuk e kanë kryer vaksinën, t’i kryhet vaksina në kushte shtëpie, pra për ata që e kanë të pamundur për të ardhur në qendrat shëndetësore apo në qendrat e vaksinimit të përqëndruar”, tha Manastirliu.
Qendra e re shëndetësore Cërrik është dhe një nga qendrat me shërbim 24 orë për rreth 46 mijë banorët e kësaj bashkie, e rindërtuar në kuadër të programit kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore.