Manastirliu jep lajmin e mirë, tregon se ç’pritet të ndodhë sot

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka qenë së fundmi në Sarandë ku ka inspektuar procesin e vaksinimit si dhe bëri me dije se ditën e sotme do të mbërrijë në vendin tonë një tjetër sasi e konsiderueshme e vaksinave Pfizer, duke e çuar në mbi 1.700.000 doza totalin e vaksinave të ardhura në vend.

“Do të kemi mbi 50 mijë vaksina Pfizer që vinë sot dhe menjëherë do të shpërndahen në qendrat shëndetësore, në pikat tona të vaksinimit të përqendruar por gjithashtu ne po vijojmë punën me njësitë lëvizëse për të vaksinuar derë më derë dhe për të vaksinuar në familje, për të vaksinuar qytetarët të cilët e kanë të pamundur që të lëvizin”- u shpreh Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë ka ftuar të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç të vaksinohen sa më parë, duke apeluar edhe studentët të vaksinohen përpara fillimit të vitit të ri akademik.

“Ne jemi të angazhuar që të vijojmë gjatë muajit gusht me vaksinimin e grupmoshës +18 vjeç, duke ndalur fokusin tek të gjithë ata të cilët janë më të rrezikuar +50 vjeç, por gjithashtu duke synuar edhe studentët, ata të cilët duhet të jenë në auditore në vitin e ri, të jenë sa më të mbrojtur, për të bërë të mundur kufizimin e përhapjes së variantit Delta dhe gjithashtu për të ulur dhe për të reduktuar rastet e rënda dhe fatalitetet”- tha ministrja.