Elbasani ka nisur përgatitjet në kuadër të finales, që do të kenë këtë të diel me Partizanin në fushën e këtyre të fundit. Verdheblutë e drejtuar nga Ivan Gvozdenoviç, vijnë në këtë duel pasi kanë bërë një rikuperim të frikshëm ndaj tyre dhe tani kanë arritur t’i parakalojnë sa i përket vendit të katërt. Me një moral të lartë, sepse kanë plot 11 ndeshje që nuk munden, duket se elbasanasit janë drejt një rruge pa kthim, pasi i mjafton edhe një barazim për të qenë zyrtarisht në “Final 4”. Gjithsesi, për aq kohë sa ekipi nuk ka arritur ende asgjë, tekniku serb ka kërkuar nga skuadra të mos kalojë në eufori, por të vijojë të bëjë po këto paraqitje.
RIKTHEHET MUSTA – Kthesa e Elbasanit për të bërë përmbysjen e madhe ndaj Partizanit, erdhi pikërisht në duelin direkt në “Elbasan Arena”. Verdheblutë fituan pastër në shifrat 2 me 0, duke i hapur rrugën shpresës për të shkuar në katërshe. Ai që shënoi ishte pikërisht një ish si Emiljano Musta, që ktheu në gol dy 11-metërshat. Mbrojtësi nuk ka qenë në fushë për shkak të një dëmtimi në dorë në pesë ndeshjet e fundit, por gjasat janë që të jetë gati në fundjavë. 33-vjeçari kryen stërvitje rregullisht me skuadrën dhe në aspektin fizik nuk ka asgjë mangët me pjesën tjetër të lojtarëve që ka luajtur rregullisht. Siç dihet, mbrojtësi elbasanas pësoi një thyerje në dorë gjatë javës së stërvitjeve kundër Laçit dhe e ka mbajtur atë në allçi, duke e privuar që të jetë në fushë në këto ndeshjet e fundit. Shanset janë që të zbresë në fushë këtë fundjavë, por gjithsesi do të pritet deri të dielën për të parë se në çfarë gjendjeje do të jetë.
MAKTHI I KUQ – Rikthimi i Emiljano Mustës ndaj Partizanit, ndonëse në dukje mund të shihet si një rikthim i thjeshtë, nuk është kështu. 33-vjeçari ka qenë në njëfarë mënyre një makth për ish-skuadrën e tij, ku vetëm këtë sezon i ka shënuar tre gola. Një prej të cilëve në barazimin 2 me 2 në “Arenën e Demave” në fazën e dytë dhe dy të tjerat në fitoren e fazës së kaluar në “Elbasan Arena”. Gjatë karrierës së tij, ai ka shënuar shtatë herë në portën e të kuqve, ku përveç tre golave me Elbasanin këtë sezon, ka shënuar dy herë si futbollist i Kukësit dhe nga një herë si pjesë e Laçit dhe Flamurtarit. Me pak fjalë, duket se Musta ka të kuqtë prenë e tij të preferuar dhe për këtë arsye mund të thuhet se Gvozdenoviç do të ketë në fushë një armë më shumë këtë fundjavë, ku luhet ndeshja e sezonit.
V. MEMA-PANORAMASPORT.AL