Të shtunën, më 13 Dhjetor Gjinari do të shndërrohet në një destinacion përrallor dimëror. Nën sloganin “Gjithçka që ju duhet, në një vend”, eventi “Gjinar Village Market” premton të bëjë bashkë natyrën, traditën, muzikën e mirë dhe atmosferën e ngrohtë të fundvitit.
Ky organizim masiv vjen nga Bashkia e Elbasanit në kuadër të festave të fundvitit për t’I dhënë gjallëri, jo vetëm qytetit, por edhe zonave turistike.
Një bashkëpunim I shkëlqyer gjithashtu me Teatrin “Skampa”, Qendrën Kulturore të Fëmijëve dhe Këshillin Rinor, të cilët janë angazhuar maksimalisht për t’I dhënë jetë kësaj feste, premton një ditë fantastike.
Një agjendë e pasur për të gjitha moshat.
Dita do të nisë në orën 10:00 me një performancë festive nga Banda e Qytetit, për t’u pasuar nga diskutime të rëndësishme mbi potencialin e turizmit malor. Një moment I veçantë do të jetë dekorimi I fshatit, ku banorët dhe vizitorët do të bashkohen për të zbukuruar ambientin me elemente natyrore.
Për fëmijët dhe familjet, organizatorët kanë menduar gjithçka. “Tavolina e Workshopeve” do të jetë zona kreative ku do të krijohen kartolina dëshirash dhe kurora festive. Atmosfera do të gjallërohet më tej në orën 12:00 me animatorë, “Face Painting”, Babagjyshin dhe Elfët, si dhe me performancën emocionuese të Korit të Fëmijëve, zërat e të cilëve do të sjellin gëzimin e festave.
Muzikë rreth zjarrit dhe të ftuar specialë.
Kulmi I eventit pritet të jetë “Camp Fire Session” në orën 13:00. Rreth zjarrit bubulak, vizitorët do të shijojnë muzikë live në një atmosferë reflektuese. Skena do të ndizet nga performancat e artistëve Franceska Kasa dhe Noel Hoxholli, ndërsa e ftuara speciale që do të dhurojë emocione të forta për të pranishmit këngëtarja e mirënjohur, Eneda Tarifa.
Bizneset lokale dhe aventura.
Festa nuk do të ishte e plotë pa shijen e produkteve lokale. Pjesë e “Village Market” janë emra të njohur të biznesit si “Tona” me produktet e tyre cilësore dhe “Furrë Buke Pastiçeri Baku”, uji “Bukaniku”, Kantina Ilir, të cilët do të kujdesen për ushqimin tradicional.
Për ata që kërkojnë më shumë adrenalinë, “Ferma e Kuajve Santo” ofron shëtitje me kuaj në natyrën e mrekullueshme të Gjinarit, ndërkohë që nuk do të mungojnë as mjetet off-road dhe motorët për ture panoramike.
Ejani të shtunën në Gjinar për të zbuluar aventurën dhe për të festuar së bashku në “Gjinar Village Market”!



ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.