Në kuadër të aktiviteteve për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, në hollin e Teatrit “Skampa” në Elbasan do të zhvillohet koncerti recital “Lyra Femina”, një mbrëmje artistike që i kushtohet ndjeshmërisë, forcës dhe elegancës femërore përmes muzikës.
Koncerti do të sjellë në skenë harmoninë e tetë violinave të ndërthurura me tingujt e pianos, duke krijuar një atmosferë intime dhe artistike për publikun. Në këtë mbrëmje, zëri lirik i Erinda Agollit do të bashkohet me interpretimet virtuozë të violinisteve dhe pianistes Rea Zaimi, duke ofruar një përjetim të veçantë muzikor kushtuar figurës së gruas.
“Lyra Femina” synon të përcjellë emocione dhe delikatesë përmes një repertori të përzgjedhur, duke e shndërruar këtë koncert në një moment të veçantë reflektimi dhe festimi për rolin dhe bukurinë e gruas në art dhe në jetë.
Koncerti do të mbahet më 9 mars 2026, në Hollin e Teatrit “Skampa” në Elbasan, duke nisur nga ora 20:00. Organizatorët ftojnë publikun të bëhet pjesë e kësaj mbrëmjeje të mbushur me emocion dhe art.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.