Në ditën e parë të vitit të ri shkollor, nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Fadil Gurmani” në Elbasan u rikthyen në banka në një ambient tërësisht të rikonstruktuar. Për t’i uruar fëmijët dhe stafin pedagogjik ishin të pranishëm kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, si dhe drejtuesi politik i qarkut, Arbjan Mazniku.
“Ky është një urim i veçantë për fëmijët që sot nisin rrugëtimin e dijes, në një shkollë tërësisht të rikonstruktuar. Një falënderim i posaçëm edhe për mësuesit që çdo ditë japin kontributin e tyre për formimin e brezit të ri”, u shpreh kryebashkiaku Llatja.
Ndërsa Arbjan Mazniku theksoi rolin e shkollës dhe mësuesve në të ardhmen e vendit. “Kur ne shkonim në shkollë, mësuesit ishin përgjegjës për të ardhmen e Shqipërisë. Sot, mësuesit dhe fëmijët janë pjesë e ndërtimit të së ardhmes europiane. Ju uroj suksese të gjithëve.”
Nga ana e saj, drejtoresha e Zyrës Vendore të Arsimit, Vesa Llanaj Liço, bëri të ditur se shkolla “Fadil Gurmani” do të bëhet pjesë e nismës “Shkollë Qendër Komunitare”, ku ambientet do të shfrytëzohen jo vetëm gjatë orëve mësimore, por edhe pasditeve, së bashku me prindërit dhe familjarët.
Në total, në bankat e shkollave të Bashkisë Elbasan këtë vit do të ulen rreth 15 mijë nxënës, prej të cilëve 1,200 fëmijë do të nisin për herë të parë klasën e parë.