Rruga “Hajdar Blloshmi”, një zonë informale në lagjen “5 Maji”, ka pasur shumë probleme sidomos në stinën e dimrit me reshje shiu, duke shkaktuar vështirësi në qarkullim. Edhe pse punimet janë drejt fundit, ku po vendosen pusetat dhe ndriçimi, tashmë kjo lagje, e cila ka vila dhe shtëpi individuale, po shndërrohet në një lagje rezidenciale.
Gjatë inspektimit të punimeve në këtë zonë, kreu i bashkisë, z. Gledian Llatja, së bashku me drejtuesin politik të qarkut, Damian Gjiknuri, theksuan investimet e shumta që janë kryer në lagjen “5 Maji” dhe që po vijojnë ende.
“Në këtë lagje kemi nisur një plan të madh për urbanizimin. Para disa ditësh kemi mbyllur edhe pjesën e kanalizimeve të ujërave të zeza në zonën e “Teqes”, që është një nga lagjet e mëdha të zonës së Elbasanit,” tha z. Llatja.
Drejtuesi politik i qarkut, Damian Gjiknuri, theksoi rëndësinë e investimeve në rrugë, të cilat sipas tij janë ndër më kryesoret për komunitetin. “Edhe kjo rrugë ka qenë një premtim në fushatë dhe një fjalë e mbajtur, dhe ky investim i mbetet banorëve”, tha ai. Në këtë lagje janë dy shkolla, dhe rruga u shërben edhe nxënësve të shkollës. Në Elbasan janë kryer një sërë punimesh të rëndësishme për përmirësimin e infrastrukturës dhe urbanizimit. Këto përfshijnë ndërtimin e rrugëve të reja, sistemimin e kanalizimeve, dhe përmirësimin e ndriçimit publik. Këto investime kanë pasur ndikim të madh në jetën e përditshme të banorëve, duke rritur cilësinë e jetesës dhe lehtësuar qarkullimin në zonë.