Kryetari i Bashkise së Krusevo në Maqedoninë e Veriut, Tome Hristoski ka vizituar sot Bashkinë e Elbasanit, ku është pritur nga kreu Gledian Llatja. Ky takim zhvillohet në kuadër të bashkëpunimeve të vazhdueshme që Bashkia e Elbasanit ka ndër vite me Maqedoninë e Veriut, kryesisht në fushën e turizmit.
Duke e cilësuar një mik të mirë, kreu i bashkisë së Elbasanit, z. Gledian Llatja vlerësoi vizitën e kreut të Bashkisë së Krusevo duke pohuar se “ne kemi pasur gjithmonë bashkëpunim me Maqedoninë e Veriut, kryesisht në zhvillimin turistik, dhe shfrytëzimit të potencialeve tona. Jemi dy vende fqinje, dy vende mike të cilat kanë ndarë historinë dhe bashkëjetesen me njëri-tjetrin. Ne sot po ndajmë eksperiencat e përbashkëta. Kemi ndarë eksperienca shumë të mira edhe në vitet e kaluara me shumë qytete, Krusevo është një shembull shumë i mirë sa i përket zhvillimit të turizmit malor, dhe ne kemi projekte të përbashkëta për të ecur përpara dhe me të cilat do të vazhdojmë edhe në të ardhmen sidomos në aplikimin e fondeve të BE kryesisht për turizmin dhe zhvillimin rural të zonave tona, si edhe zhvillimin e potencialeve që ne kemi si në Funar, ashtu edhe në Labinot Mal, por edhe në Gjinarin turistik. Bashkia Elbasan, si edhe ajo e Krusevos, kemi aplikuar nga fondet e BE dhe kemi siguruar projekte te perbashketa si Pista e Parashutizmit në Funar, InfoPoint në Funar dhe 75 km shtigje malore, projektin Funari Adventure Park ne e kemi si nje model nga Bashkia e Krusevos, e cila ka pisten me te madhe ne Ballkan per paragliding” , përfundoi kreu i Bashkisë z. Gedian Llatja.
Nga ana e tij, Kreu i Bashkisë së Krusevo Tome Hristoski, shprehu bindjen e plotë se bashkëpunimi mes dy bashkive si edhe shkëmbimi i eksperiencave, kryesisht në turizmin malor do të vazhdojë duke përparuar në të ardhmen.