Screenshot

Llatja nga ” Sul Harri” Shkollat gati për vitin e ri shkollor

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me drejtoreshën e Zyrës Vendore të Arsimit, Vesa Llanaj Liço, si dhe deputetët Aulona Bylykbashi dhe Adi Qose, vizituan shkollën 9-vjeçare “Sul Harri” në prag të nisjes së vitit të ri shkollor 2025–2026. Vizita u realizua për të parë nga afër përgatitjet e shkollës dhe për t’u siguruar që nxënësit do të kenë kushte të mira për të filluar vitin e ri shkollor.

Drejtoresha Vesa Llanaj Liço bëri të ditur se rreth 13 mijë nxënës të arsimit bazë do të përfitojnë libra falas. Ajo shtoi se për ciklin fillor librat janë të rinj, përveç klasës së katërt, ndërsa për klasat 4, 6, 7, 8 dhe 9 do të shpërndahen libra të përdorur, por të mirëmbajtur nga paraardhësit e tyre.

Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, u shpreh se infrastruktura shkollore është gati, duke përfshirë klasa të pastra, ambiente funksionale dhe kushte bashkëkohore për nxënësit. Ai theksoi se bashkia ka punuar ngushtë me këshillat e prindërve për të garantuar një fillim të qetë dhe të organizuar të vitit shkollor.

Deputeti Adi Qose vlerësoi kushtet e krijuara dhe politikat mbështetëse të librave falas, duke inkurajuar nxënësit të përfitojnë maksimalisht nga mundësitë që u ofrohen.

Deputetja Aulona Bylykbashi vuri theksin tek bashkërendimi i punës mes pushtetit vendor dhe qendror, duke nënvizuar se “kujdesi për arsimin fillon që nga cikli parashkollor dhe se shpërndarja e librave falas lehtëson barrën financiare për prindërit, duke siguruar mundësi më të barabarta për të gjithë fëmijët”.

Në total, në bankat e shkollave të Bashkisë Elbasan këtë vit shkollor do të ulen rreth 15 mijë nxënës, prej të cilëve 1,200 fëmijë do të nisin për herë të parë klasën e parë. Përgatitjet nuk kanë qenë vetëm infrastrukturore: shkollat kanë koordinuar me prindërit për të siguruar furnizimet e nevojshme, librat falas dhe materialet mësimore. Ky bashkëpunim mes shkollave, prindërve dhe pushtetit vendor synon të garantojë një nisje të qetë dhe të organizuar të vitit shkollor, duke i ofruar çdo fëmije mundësi të barabarta për të përfituar nga mësimi dhe ambientet e reja bashkëkohore.