Pas më shumë se 30 vitesh pa asnjë ndërhyrje, tri rrugë të rëndësishme në rajonin nr. 2 të Elbasanit janë asfaltuar dhe sistemuar plotësisht.
Bëhet fjalë për rrugët “Dhimitër Bega”, “Hasan Bajraktari” dhe “Fetah Cankja”. Këto rrugë, dikur të amortizuara dhe të pakalueshme, tashmë ofrojnë siguri dhe akses më të mirë për familjet që jetojnë në zonë.
“Pas dekadash pa investime, këto rrugë janë rikthyer në shërbim të banorëve. Asfaltimi dhe sistemimi i tyre janë një hap konkret për një infrastrukturë urbane dinjitoze,” tha kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, gjatë inspektimit të punimeve së bashku me deputeten e zgjedhur në 11 maj, Aulona Bylykbashi. Kryebashkiaku Llatja theksoi gjithashtu se projektet e asfaltimit nuk mund të nisnin pa përfunduar më parë rrjetin e ujësjellësit.
Deputetja Aulona Bylykbashi pohoi se, kur nisi rikonstruksioni i rrugës “Hasan Bajraktari”, banorët ishin mosbesues, pasi për dekada nuk ishte bërë asgjë.
“Me përfundimin e punimeve, jo vetëm që përmirësohet cilësia e jetesës, por rritet edhe vlera e pronave. Rrugët janë funksionale, të kalueshme dhe të sigurta”, u shpreh Aulona Bylykbashi.
Përveç shtrimit të rrugëve është bërë dhe lidhja mes lagjes Çlirimi dhe “Shën Kollit”, duke krijuar edhe një rrugë të rëndësishme shkarkuese për zonën e tregut. Kryebashkiaku Llatja premtoi se Bashkia Elbasan do të mbetet e angazhuar për të vazhduar me ritme të larta investimet në infrastrukturë, duke e bërë qytetin më të jetueshëm për të gjithë.