Në kuadër të procesit të buxhetimit me pjesëmarrje dhe dëgjesave publike për paketat fiskale të vitit të ardhshëm, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, zhvilloi një takim me përfaqësues të bizneseve të qytetit, ku u diskutua për prioritetet e zhvillimit ekonomik, infrastrukturor të bashkisë.
Në fjalën e tij, kryebashkiaku Llatja theksoi se dëgjesat me qytetarët dhe biznesin janë tashmë një traditë e konsoliduar në Elbasan.
Sipas tij, çdo vit ky proces bëhet më gjithëpërfshirës, duke bërë pjesë kontribuesit kryesorë të buxhetit vendor dhe atij të shtetit.
“Elbasani është një qytet me ritme të qëndrueshme zhvillimi. Çdo vit kemi një rritje të bizneseve dhe të buxhetit të bashkisë, gjë që na ka mundësuar të realizojmë investime të rëndësishme, sidomos në zonat informale.
Duke folur për bashkëpunimin me biznesin lokal, Llatja shtoi se Bashkia Elbasan do të vazhdojë të dëgjojë idetë dhe propozimet e tyre për zhvillimin e qytetit.
“Ne po përgatitemi për buxhetin, ndaj do të doja të dëgjoja problematikat që ju keni, sidomos ato që lidhen me biznesin apo idetë tuaja për përmirësim. Na kanë ardhur shumë ide të mira nga takimet e përbashkëta, ashtu siç kanë qenë edhe një sërë projektesh që kemi realizuar bashkërisht, si rivitalizimi i zonës industriale, ndërhyrjet në kalanë e qytetit apo aktivitetet e ndryshme kulturore që kanë gjetur mbështetje nga bashkia. 
Ne kemi qenë gjatë gjithë kohës pranë bizneseve dhe do të vazhdojmë të jemi, duke ofruar mbështetje për nisma që gjallërojnë jetën ekonomike dhe sociale të Elbasanit,” theksoi ai.
Llatja shtoi se një tjetër drejtim i rëndësishëm është finalizimi i masterplanit të zonës industriale, ku po punohet në bashkëpunim të ngushtë me inxhinierët dhe bizneset që operojnë në këtë hapësirë.
“Problemi historik i kësaj zone ka qenë paqartesia e ndërmarrjeve të vjetra që kanë ushtruar aktivitet aty. Ne po punojmë që, së bashku me bizneset dhe qeverinë, të krijojmë një entitet të përbashkët për menaxhimin total të zonës industriale. Kjo do të sjellë më shumë rend, investime dhe zhvillim ekonomik” përfundoi kryebashkiaku.
 ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.
				 
			 
		 
						
					 
						
					 
						
					 
						
					 
						
					 
						
					 
						
					 
						
					