Llatja: Avancimi drejt Barazisë Gjinore misioni im thelbësor 

Përfaqësuesi i UN Women në Shqipëri, ka zhvilluar një takim me kryetarin e Bashkisë së Elbasanit, në kuadër edhe të lancimit të Planit Vendor të Veprimit për Barazinë Gjinore në dy vitet në vijim. Kryebashkiku Llatja shprehu mirënjohje për bashkëpunimin e suksesshëm të deritanishëm, në veçanti për mbështetjen teknike për hartimin e PVVBGJ 2022-2024, si dhe për ndërhyrjen që po zhvillohet në Labinot-Mal për fuqizimin ekonomik të grave.

“Fuqizimi i grave, të rejave dhe vajzave, si dhe avancimi drejt barazisë gjinore janë thelbësore për misionin dhe mandatin tim, përderisa si qëllim final kam zhvillimin e qendrueshëm të komunitetit në Elbasan. Këtë mision nuk mund ta përbush pa u siguruar për gjithëpërfshirje, vëmendje të veçantë në nevojat e grupeve më të cenueshme, si dhe pa u siguruar që askush të mos mbetet pas, tha Llatja.

Duke e konsideruar  shumë të rëndësishëm vijimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes Bashkisë Elbasan dhe UN Women dhe njëkohësisht përmes UN Women edhe shtrirjen e partneritetit me agjencitë e tjera të KB, Llatja u shpreh se ” ne kemi nevojë të mbështetemi përsa i takon fillimit të zbatimit të PVVBGJ në disa drejtime, për unifikimin e formateve të mbledhjes së të dhënave nga të gjitha drejtoritë e sektorët, mbi aktivitetet e PVVBGJ, në përputhje dhe me kërkesat e monitorimit, siç sugjerohen edhe nga Këshilli i Bashkive dhe Rajoneve të Evropës (KBRE). Këtu kam parasysh më shumë sesa thjesht përgatitjen e formateve, pra synoj mbështetjen e sektorit të statistikave për të punuar siç duhet me mbledhjen e të dhënave të ndara sipas seksit dhe statistikave gjinore, si dhe për ta kthyer këtë në një proces rutinë për çfarëdolloj aktiviteti. Në këtë kuadër, do të ishte domosdoshmëri edhe trajnimi i stafit të bashkisë për të kuptuar siç duhet parimet e monitorimit të PVVBGJ dhe për t’u aftësuar për një monitorim sa më afër kërkesave e pritshmërive të KBRE-së.

Komisioni për Barazinë Gjinore në nivel bashkie, që formalizuam në kuadër të përgatitjes së PVVBGJ, sektori i organizimit të dëgjesave publike, si dhe Komisioni i Barazisë Gjinore në nível të Këshillit Bashkiak, kanë nevojë për të njohur, kuptuar dhe zbatuar si duhet parimet e buxhetimit të përgjigjshëm gjinor. UN Women është Agjencia e KB lider në Shqipëri sa i takon çështjes së buxhetimit të përgjigjshëm gjinor, ndaj dhe besoj shumë në mundësinë që do t’i jepni Bashkisë Elbasan në këtë drejtim. Gërshetuar me këtë është edhe nevoja për t’u aftësuar për të bërë siç duhet analizën dhe vlerësmin e impaktit gjinor të shpenzimeve vjetore apo afatmesme të programeve të caktuara buxhetore të bashkisë. Siç e kemi vendosur edhe në PVVBGJ, ne dëshirojmë që ta bëjmë këtë vlerësim për të paktën një program buxhetor në vit, ndaj dhe mbështetja juaj në këtë drejtim do të ishte domosdoshmëri” ju drejtua kryebashkiaku z. Ribbota. Sipas tij ” kjo mbështetje do të na lehtësonte edhe në drejtim të përgatitjes së një listë kontrolli me çështjet që duhet të mbahen në konsideratë gjatë ndërhyrjeve që bën bashkia në funksion të zhvillimit të komunitetit (infrastrukturë, mjedis, etj).

Çështjet e sigurisë në komunitet dhe familje, krijimi i hapësirave publike të sigurta për gratë, të rejat dhe vajzat, por edhe për komunitetin në tërësi, si dhe mbështetja për reduktimin e dhunës në familje e dhunës me bazë gjinore janë gjithashtu çështje të rëndësishme të cilat mendoj se duhet të marrin vëmendjen e duhur. Do t’ju ishim mirënjohës nëse në këtë kuadër do të na mbështesnit për të kuptuar më mirë dhe për të aplikuar për shembull misionet e auditit të sigurisë për të rritur nivelin e sigurisë në hapësirat publike, apo për të ofruar trajnime specifike që lidhen me dhunën seksuale dhe mënyrën e menaxhimit të rasteve të tilla. Gjithashtu, mbështetja në ofrimin e shërbimeve të caktuara të domosdoshme për të qenë efektivë në menaxhimin e rasteve të dhunës, është tepër e vlerësuar dhe e shumëpritur.  Ju e keni dhënë një kontribut në këtë drejtim me mbështetjen e funksionimit të strehëzës së emergjencës që menaxhohet nga Forumi i Gruas Elbasan dhe në këtë bashkëpunim mendoj se ka vend të diskutohet mbi plotësimin e standardeve të këtij shërbimi mbështetës të specializuar, si dhe mbi qendrueshmërinë e tij në të ardhmen. Ngjashmërisht, mbështetja me shërbime që lehtësojnë pozicionin e grave në çështje të kujdesit të fëmijëve (të tillë si për shembull “Shtëpia e Gjyshes” – një mundësi për të qendruar fëmijët gjatë orarit kur nënat e tyre punojnë), janë domosdoshmëri dhe mbetemi të gatshëm të diskutojmë për detaje të mëtejshme në varësi të mundësisë UM Women mund të ketë për mbështetje të drejtpërdrejtë apo nëpërmjet agjencive të tjera partnere. Në lidhje me shërbimet që ofrojmë, po mendojmë të ngremë edhe një njësi të monitorimit të funksionimit të këtyre shërbimeve, me qëllim që të sigurohemi për cilësinë dhe standardet në ofrimin e tyre. Kështu që edhe fuqizimi i kapaciteteve të funksionimit të kësaj njësie monitorimi është një tjetër nevojë e jona si bashki”.