Lista me emra; Basha shkon në Elbasan, Tiranën ia lë Bardhit, Berisha kundër…

Në korridoret e Partisë Demokratike, kanë nisur të diskutohen emrat e parë të drejtuesve politikë në qarqe, një fazë kjo që e djathta e nis teksa mbylli një proces zgjedhor për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë për garën parlamentare të 25 prillit. Pas 7 viteve në opozitë, Partisë Demokratike duket se do t’i duhet kohë të bëjë kalkulimet e duhura për qarqet që ofrojnë përballje të fortë.

Por, ajo që bie në sy, është se lideri demokrat, Lulzim Basha, mund të lërë Tiranën. Burime brenda selisë blu, thanë për Report TV, se Lulzim Basha flitet të drejtojë qarkun e Elbasanit, ku u zgjodh deputet në vitin 2009.

Prej ditësh emrat e mundshëm për drejtimin e fushatës elektorale në 12 qarqet e vendit, kanë zënë pjesën më të madhe të diskutimeve në PD, por ende vendimi nuk është marrë zyrtar.

Suprizë janë edhe diskutimet për Qarkun e Shkodrës, ku demokratët mund të vendosin në krye të drejtimit politik  ish Kryeministrin Sali Berisha, megjithatë vendimi duket i vështirë, pasi historikisht ish lideri demokrat ka kandiduar në Kavajë.

Kjo lëvizje vjen në një moment kur bashkëpunëtorja e tij më e ngushtë, Jozefina Topalli do të garojë në zgjedhje me një lëvizje të re politike.

Në Durrës, përballë kryeministrit Edi Rama ku pritet të jetë edhe beteja më e ashpër, demokratët pritet të caktojnë drejtues politik Oerd Bylykbashin që udhëhoqi diskutimet e opozitës në tryezën politike për reformën zgjedhore, por përflitet edhe emri i Sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhi.

Në Tiranë, përballë Spiropalit, Bushatit dhe Veliajt diskutohet të vendosen Grida Duma, Aldo Bumçi, Flamur Noka dhe Gazment Bardhi.

Drejtuesit e mundshëm të qarqeve në PD:

Elbasan-Lulzim Basha

Shkodër- Sali Berisha

Lezhë- Alfred Rushaj

Kukës- Edi Paloka

Dibër- Dhurata Çupi

Korçë- Edmond Spaho

Gjirokastër- Genc Pollo

Durrës – Oerd Bylykbashi

Tiranë- Gazmend Bardhi  Grida Duma,  Aldo Bumci, Flamur Noka

Vlorë- Bujar Leskaj

Berat-Tomorr Alizoti

Fier- Enkelejd Alibeaj

Megjithatë, kryedemokrati Lulzim Basha ende nuk e ka marrë një vendim final dhe gjithçka mund të rikonfigurohet në varësi të llogarive për sa më shumë mandate. Vetë Basha ka deklaruar se emrat do të bëhen publikë zyrtarisht nga selia blu sapo të merret vendimi./shqiptarja.com