Elbasani po përgatitet me kujdes për sezonin e dytë radhazi në elitën e futbollit shqiptar.
Duke parë eksperiencën e vitit të kaluar dhe mësimet e nxjerra, klubi verdheblu i është përkushtuar një plani përgatitor të mirëmenduar, që përfshin ndeshje miqësore cilësore dhe një testim të thelluar të organikës së skuadrës. Qëllimi është i qartë: jo vetëm qëndrimi në Superiore, por një identitet i fortë loje dhe përmirësim i vazhdueshëm. Katër ndeshje miqësore kanë shërbyer si laboratori ku po formësohet Elbasani i ri. Ato kanë ofruar sinjale interesante, veçanërisht në repartin ofensiv, ku disa emra po dalin në pah, ndërsa të tjerë mbeten në hije.
DIALO, LIDERI I HESHTUR – Nga të gjithë lojtarët që kanë marrë minuta në këto ndeshje, ai që ka spikatur më shumë është pa dyshim Dialo. Sulmuesi i Elbasanit jo vetëm që ka shënuar dy gola në katër ndeshje, por ka dhënë mesazhe shumë më të forta përmes mënyrës se si e ka interpretuar rolin e tij në fushë. Ai është treguar vendimtar në duelet e rëndësishme, konkret para porte dhe aktiv në ndërtimin e aksioneve ofensive. Në miqësoren ndaj Tiranës, Dialo ishte një nga protagonistët kryesorë. Me një finalizim të saktë ai përmbysi rezultatin dhe siguroi fitoren ndaj një kundërshtari prestigjioz. Goli i parë erdhi ndaj Pogradecit, duke konfirmuar formën e tij të mirë. Por më shumë sesa statistika, ajo që e veçon është qetësia me të cilën luan, lëvizjet e mençura dhe aftësia për të qenë gjithmonë në vendin e duhur në kohën e duhur. Në një skuadër që nuk ka ende një lider të padiskutueshëm në fazën sulmuese, Dialo po shfaqet si një kandidat serioz për të marrë këtë rol. Stafi teknik e konsideron tashmë një nga armët më të besueshme, veçanërisht në kushtet kur sulmuesit e tjerë nuk kanë qenë në të njëjtin nivel. Edhe pse një lojtar krahu, po tregon “nuhatje” në zonë dhe ka shënuar.
SHQETËSON BEN SHIMON – Në të kundërt, situata është më e ndërlikuar për Ben Shimon. I ardhur me bujë dhe me CV të pasur, izraeliti nuk ka arritur ende të përshtatet me stilin e skuadrës dhe me ritmin e kërkuar nga trajneri. Ai ka luajtur në të gjitha miqësoret, ka pasur minuta të mjaftueshme dhe hapësira për të shfaqur veten, por rezultati është zhgënjyes: zero gola të shënuar. Për një sulmues, mungesa e golit është sinjal alarmi. Por për një lojtar si Ben Shimon, që duhet të ishte lider i ofensivës, ky është një problem që po kthehet në barrë psikologjike. Në stërvitje, stafi po përpiqet ta motivojë dhe ta integrojë në skema, duke besuar tek aftësitë e tij në fazën ofensive. Nëse situata nuk ndryshon shpejt, nuk përjashtohet mundësia që izraeliti të humbasë statusin e titullarit që në fillim të sezonit.GHGH
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL