Libri që rikthen historinë çame, Rezart Palluqi prezanton në Elbasan romanin “Shtëpia me dy çati”

Në Bibliotekën “Qemal Baholli” të Elbasanit u zhvillua takimi me autorin e romanit “Shtëpia me dy çati”, Rezart Palluqi. Vepra trajton temën e gjenocidit ndaj popullsisë çame në Greqi, duke e ndërthurur me elementë thrilleri dhe me sagën njerëzore të një historiani grek që burgoset për bindjet e tij. Në sfond shpaloset edhe një histori dashurie me një turiste holandeze.

“Meqenëse jam rritur në Greqi, kanë qenë disa momente që unë kam konstatuar edhe dramën e 2 milion grekëve të cilët janë dëbuar nga Azia e Vogël dhe në këtë moment u poq ideja që të bëheshe një roman për dy gjenocidet, gjenocidi i grekëve dëbuar nga Azia e Vogël dhe gjenocidi çam”, u shpreh autori.

Në takim morën pjesë familje çame, shkrimtarë dhe nxënës të gjimnazit “Kostandin Kristoforidhi”. Për autorin, kjo vepër është një mënyrë për të treguar historinë e popullit shqiptar në një formë të re.

“Jam çame dhe jam shumë në dijeni të historisë së çamëve”, u shpreh një e pranishme.

Romani cilësohet si një dëshmi e fuqishme për popullin çam, me ritëm, narracion rrjedhshëm dhe frymë moderne. Ai është fitues i çmimit “Azem Shkreli” për letërsinë e diasporës shqiptare.