Friday , July 11 2025

Librazhd/ Përleshje masive, 4 vëllezër bëjnë për spital 5 shtetas! Detaje nga ngjarja

Katër vëllezër kanë bërë për spital 5 persona të tjerë pas sherrit dhe përleshjes në lokalin e fshatit Dragostunjë të Librazhdit.

Policia arriti të lokalizonte dhe arrestonte dy prej tyre, teksa dy të tjerët i ka shpallur në kërkim dhe po heton për zbardhjen e plotë të dinamikës dhe shkaqeve të ngjarjes.

Uniformat blu bënë me dije se parandaluan edhe përshkallëzimin e konfliktit, kurse 5 personat e goditur me sende të forta dhe grushte ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu është proceduar penalisht edhe kamerierja e lokalit, pasi dyshohet se ka prishur provat në vendngjarje.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd, dje, pas njoftimit për një konflikt ndërmjet disa shtetasve, në fshatin Dragostunjë, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit dhe identifikimin e shtetasve të përfshirë. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore u identifikuan shtetasit e përfshirë në konflikt”, bëri me dije policia.

Në pranga u vendosën I. Xh., 29 vjeç dhe A. Xh., 31 vjeç (vëllezër), për veprat penale “plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “prishja e qetësisë publike”. Kurse në kërkim u shpallën V. Xh., 38 vjeç dhe K. Xh., 35 vjeç, vëllezërit e të arrestuarve.

“U referuan materialet në Prokurori edhe për E. G., 50 vjeçe (kameriere), për veprën penale “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, sqaroi policia për dinamikën e ngjarjes.

Konflikti ka ndodhur më 9 korrik brenda lokalit, ku katër vëllezërit kanë goditur me grushte dhe me sende të forta për motive të dobëta, klientët A. N., B. B., E. A., F. F. dhe M. F., të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.