Në Elbasan po punohet në dy fronte. Bisedime në merkato dhe spastrime. Të dyja janë të lidhura ngushtësisht me njëra – tjetrën në periudhën e verës, pasi afrimet e reja do të sjellin domosdoshmërish edhe largime.
Duket se verdheblutë po ua vënë “fshesën” të huajve në skuadër, pasi gjatë sezonit që lamë pas ishin shumë larg pritshmërive dhe ata janë të parët që e pësojnë. Pas largimit të sulmuesit Bobi Klement dhe mesfushorit David Ivan, të cilëve u përfundoi kontrata, “Panorama Sport” mëson se të njëjtin fat kanë pasur edhe dy brazilianë. Bëhet fjalë për mbrojtësit e krahut, Salomao dhe Fernandesh, të cilët u afruan në merkaton e janarit, por mesa duket me paraqitjet e tyre nuk bindin për në Superiore dhe klubi ka ndarë rrugët me marrëveshje. Edhe pse ata në muajin janar erdhën si përforcime që mund t’i shërbenin në elitë skuadrës, duket se periudha e tyre e “provës” gjatë këtyre muajve nuk ka kaluar me sukses.
I MBIJETUARI – I vetmi i mbijetuar nga të huajt është braziliani Leo Melo, i cili ka qenë një titullar fiks tek verdheblutë, ku madje shënoi edhe 10 gola. Mësohet se ai do të vijojë të jetë pjesë e klubit, pasi shihet element i rëndësishëm dhe nuk do të ketë “fatin” e të tjerëve. 23- vjeçari ka qenë një ndër afrimet e merkatos së verës në Kategorinë e Parë dhe në sajë edhe të moshës së tij të re, në klub e shohin si një element që mund t’i shërbejë jo vetëm këtë edicion, por edhe të perspektivës, me shpresën që të spikasë edhe në elitë. Me pak fjalë, tek braziliani shihet një mundësi e mirë edhe për ta parë si një lojtar që në të ardhmen klubi të arkëtojë të ardhura nga ndonjë shitje e mundshme e tij. Futja në tregun e elitës i jep mundësinë që të nxjerrë në pah edhe elementët e rinj dhe cilësorë që ka në skuadër.
TË TJERËT – Nëse për momentin largimet e para kanë qenë të lojtarëve të huaj, pritet që atyre t’u bashkohen edhe të tjerë. Aktualisht klubi ende nuk ka një listë zyrtare të atyre që do të largohen apo ndërpritet bashkëpunimi, por mësohet se janë shumë lojtarë të rrezikuar. Më së shumti, pjesa e atyre që s’kanë pasur shumë minuta në dispozicion dhe po bëhet vlerësimi për çdo lojtar në sajë të kontributit që ka dhënë gjatë sezonit që lamë pas. Pritet që brenda disa ditësh të qartësohet edhe kjo situatë, për t’u dhënë mundësinë lojtarëve që do të largohen të shkojnë në skuadra të tjera që kërkojnë shërbimet e tyre, duke mos i mbajtur “peng” deri në fund. Fakti që do të ketë shumë hyrje në merkaton e verës, detyron klubin që të bëjë spastrime të detyruara dhe në një situatë të tillë do ta pësojnë ata që kanë kontribuar më pak.
VLADIMIR MEMA–PANORAMASPORT.AL