Alejqym selam mjeshtër!
Ndërron jetë, Xhevat Koburja, lalë Xhevati siç i thoshim ne, furrxhiu i famshëm i Elbasanit.
Mjeshtër me hakikat, fjalëpak, gojamël dhe besimtar i devotshëm. Sa herë bleja bukë më përshëndeste i pari pa prit ta përshëndesja unë; Selam alejqym efeni!
Gjyshi tem e ka pas mik shpie, masi gjyshi ndërroi jetë, lalë Xhevati mpyste gjithmonë për gjyshen dhe më thoshte: çoja kët bukë nanë Lijes se e ka qef.
Para ca kohësh ndërroi jetë në moshë relativisht të re një hoxhë në Elbasan, hoxha qe hoxhë bir hoxhe, ndërsa Xhevati mik fëminije i babës së tij. Mori pjesë në xhenaze edhe pse i shtyrë në moshë dhe mezi mbahej mbi bastun. Paske ardh lalë Xhevati? -e pyeta unë, duke shpreh keqardhje për të meqë kishte ba sakrificë të madhe me dalë prej shpisë. Si mos të vi, -ma ktheu me gjysmë zë të mekur. Babën e tij e kam shok prej 75 vjetësh dhe i shkun lot mbi faqe.
Nuk është thjesht një numër dyshifror, por treçerek shekulli plot histori.
Lalë Xhevati iku, e me vetë mori një histori të pasur, ndërsa ne çdo ditë e ma shumë varfërohemi.
Qyteti ynë çdo ditë e ma shumë po e humb identitetin e tij, ndarja nga jeta e furrxhiut të qytetit është një tjetër pikë referimi që ky qytet sapo humbi. Mjafton të kujtosh piten dhe ndërmend të vjen Xhevati. Sa njerëz kanë ngrënë bukë prej duarve të tij?!
Të shërbefshin në xhenet ma mirë se na shërbeve në këtë botë!
Imam Dorian Balliu