Lajthia “zvogëlon” të kuqtë, mbrojtësi i Elbasanit: Partizani si gjithë të tjerët

Elbasani është duke u dhënë dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen e radhës, atë me Partizanin në kampionat. Tekniku Roberto Bordin shpreson që të ketë sa më shumë lojtarë në formën optimale ndaj të kuqve, teksa edhe mesjava e Kupës në ndeshjen me Turbinën do t’i shërbejë për të përgatitur skuadrën për këtë sfidë.

Duke parë diferencat mes skuadrave, praktikisht kupa shihet si një formalitet në të cilin elbasanasit nuk mund të gabojnë. Përballja është vendosur të luhet në kompleksin “Shefqet Lamçja” në orën 13:30. Pritet që në këtë përballje, italiani t’u japë më shumë mundësi lojtarëve që nuk kanë shumë minuta në kampionat.

LAJTHIA – Morali tek verdheblutë është i lartë, sepse pas tetë javëve të para janë në vorbullën e skuadrave që kanë pretendime, me vetëm dy pikë larg vendit të parë që mbahet pikërisht nga kundërshtari i radhës. Të paktën, kështu shprehet në një prononcim për “Panorama Sport” mesfushori Xhonatan Lajthia, i cili vlerëson ecurinë e verdhebluve deri më tani, por kanë ende shumë për të treguar. “Kemi bërë një nisje të mirë të kampionatit, por me organikën e skuadrës, kemi akoma më shumë për të treguar. Jemi ndeshur me të gjitha skuadrat, përveç Partizanit dhe mendoj se kemi luajtur me kualitet ndaj çdo rivali”, u shpreh fillimisht futbollisti i afruar këtë merkato vere në radhët e Elbasanasve.

PARTIZANI – Në vijim të fjalës së tij, 25-vjeçari që luan në krahun e djathtë të fushës, ndalet pak edhe tek kundërshtari i radhës, Partizani. Ai vlerëson të kuqtë, por me Elbasanin synon vetëm fitoren. “Ndeshja me Partizanin është si gjithë të tjerat. Ne futemi në fushën e lojës për të dhënë maksimumin si çdo ndeshje, duke kërkuar gjithnjë fitoren”, u shpreh mesfushori i verdhebluve. Si një futbollist që ka luajtur jo në pak skuadra në futbollin shqiptar, Lajthia vlerëson dashurinë për futbollin në qytetin e Elbasanit. “Në Elbasan më ka bërë përshtypje dashuria dhe respekti që kanë njerëzit për futbollin dhe lojtarët. Padyshim, edhe tifozëria e zjarrtë”, mbylli prononcimin e tij për gazetën futbollisti i Elbasanit, i cili këtë sezon është aktivizuar në gjashtë takime, duke dhënë kontributin e tij sa herë skuadra ka pasur nevojë për shërbimet e tij.

PANORAMASPORT.AL