Elbasani, ashtu si të gjitha skuadrat e tjera jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë, prej më shumë se një muaji nuk është duke u stërvitur. Gjatë kësaj periudhe ka ekzistuar frika e mos pagesës për shkak të mungesës së aktivitetit, për më tepër kur bëhej fjalë për një klub si verdheblutë që nuk është se kanë qenë me financa të shëndosha edhe në ditë normale. Një pjesë e mirë e ekipit të vetmen pagë kanë atë të punës së tyre në klub, ndaj shpresat i kanë vetëm tek kjo rrogë.
Megjithatë, edhe ky problem duket se është zgjidhur aktualisht. Nga burime pranë klubit elbasanas, mësohet se pak ditë më parë lojtarët dhe stafi kanë “ngrohur” sadopak xhepat e tyre, sepse FSHF u ka kaluar “pagën e luftës”, për të përballuar situatën me pandeminë. Një lajm i mirë ky në kohë të vështira, për më tepër për një klub si Elbasani që në të kaluarën ka pasur probleme me financat.
Objektivi i këtij sezoni është qëndrimi në kategori dhe verdheblutë shpresojnë që problemet e deritanishme të lihen pas dhe të nisë një erë e re, edhe pse nuk do të jetë shumë e lehtë.
Elbasani është i përgatitur për të gjithë skenarët e mundshëm sa i përket kampionatit dhe duket se në të gjitha rastet u shkon për shtat. Mbetet për t’u parë sesi do të përfundojë ky sezon për elbasanasit dhe cili do të jetë verdikti, teksa aktualisht ekipi ndodhet në vendin e fundit në Grupin B./elbasaninews