Më 21 shkurt 2025, Arsen Lleshi iu nënshtrua një operacioni në gju për shkak të një dëmtimi serioz, i cili e detyroi të qëndronte për një kohë të gjatë jashtë fushave dhe ta mbyllte sezonin pikërisht në momentin e tij më të mirë. Ishte një goditje e fortë për sulmuesin elbasanas, që po kalonte formë të shkëlqyer dhe po jepte kontribut të rëndësishëm për skuadrën. Rikuperimi kërkoi kohë, durim dhe shumë punë, ndërsa periudha jashtë fushës u shndërrua në një sfidë të vërtetë fizike dhe psikologjike. Saktësisht një vit më pas, më 21 shkurt 2026, 26-vjeçari u rikthye tek goli pas më shumë se 12 muajsh pritje, duke përjetuar një moment çlirimi të madh. Realizimi nga pika e bardhë e penalltisë në sfidën ndaj Vorës i dha skuadrës tri pikë të arta dhe e mbajti atë në garë për kreun e kampionatit. Ishte një rikthim simbolik dhe emocional, që shënoi fundin e një periudhe të vështirë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Lleshi foli për përjetimet e tij: “Ka qenë një vit shumë i vështirë, sepse dëmtimi më la gjatë jashtë fushave. Nuk është e lehtë të shohësh ekipin nga tribuna kur dëshiron të kontribuosh. Ky gol më çliroi, nëse mund ta them kështu dhe jam i lumtur që në fund i shërbeu skuadrës për të marrë tri pikë shumë të rëndësishme”, u shpreh fillimisht sulmuesi.
FORMA – Në vijim, Lleshi ndalet te gjendja e tij fizike, duke theksuar se tashmë e ka lënë pas dëmtimin, edhe pse minutat në dispozicion nuk kanë qenë të shumta. Ai pranon se rikthimi në nivelin maksimal kërkon kohë, por ndihet në rrugën e duhur. “Tani jam mirë dhe mendoj se pak nga pak kam arritur formën e duhur fizike për të dhënë kontributin tim për ekipin. Çdo ndeshje dhe çdo minutë më ndihmon të fitoj më shumë besim. Kam një falënderim të veçantë për klubin, trajnerin dhe shokët e skuadrës, të cilët më kanë qëndruar pranë gjatë gjithë kësaj periudhe”, theksoi ai.
BYLISI – Ndeshja e radhës do të luhet në shtëpi ndaj Bylisit, një përballje që Lleshi e konsideron mjaft të rëndësishme. Ai shprehet optimist për të marrë tri pikët dhe, nëse do të jetë në fushë, shpreson të vazhdojë me realizimet. “Për ne të gjitha ndeshjet janë njësoj dhe nuk shohim klasifikimin. Ky kampionat ka treguar se mund të fitosh kudo dhe mund të humbasësh me këdo. Për këtë arsye, ndaj Bylisit do të futemi në fushë me përulësi dhe përqendrim maksimal për të bërë detyrat si duhet dhe në fund të marrim fitoren”, u shpreh Lleshi.
OBJEKTIVI – Në fund, sulmuesi foli edhe për synimet e skuadrës, duke theksuar se fokusi është gjithmonë te ndeshja e radhës. Sipas tij, vetëm me këtë qasje mund të arrihen objektiva madhorë si katërshja, pjesëmarrja në Europë apo edhe titulli kampion. “Ne e kemi të qartë që duhet të mendojmë vetëm për kundërshtarin e radhës, sepse kështu mund të arrijmë objektivat. Jemi në një pozicion të mirë dhe duam ta vazhdojmë këtë ecuri pozitive. Fillimisht synojmë të sigurojmë katërshen dhe pjesëmarrjen në Europë. Më pas, do të shohim si do të jemi në fund të kampionatit për të folur për titullin. Tani për tani, duhet të kalojmë Bylisin”, përfundoi Lleshi. Rikthimi i tij është një lajm i mirë jo vetëm për skuadrën, por edhe për tifozët, të cilët presin që sulmuesi të rikthehet plotësisht në formën që e karakterizonte para dëmtimit dhe të jetë sërish vendimtar në momentet kyçe të sezonit.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.