Fermerët duhet të mbledhin të gjitha faturat e shitjes së produkteve bujqësore tek grumbulluesit, në mënyrë që të përfitojnë nga masa e kompensimit të TVSH-së prej 10 %. Udhëzimi i detajuar i Ministrisë së Financave, sqaron mënyrën se si do të zbatohet skema.
Referuar udhëzimit, grumbulluesi, person i tatueshëm i regjistruar për TVSH-në, për çdo furnizim të produkteve bujqësore, të marrë prej fermerit lëshon një faturë tatimore të fiskalizuar në të cilën evidenton si shitës, shitësin fermer, NIPT-in e fermerit dhe të dhënat e tjera të kërkuara sipas faturës.
Kjo faturë, në të cilën nuk llogaritet TVSH-ja, lëshohet nga blerësi në momentin e dorëzimit të produkteve bujqësore nga fermeri.
Vlera totale faturës përfaqëson vlerën e furnizimit të paguar nga grumbulluesi për llogari të shitësit fermer, mbi të cilën aplikohet norma e kompensimit.
Kërkesa për kompensim të TVSH-së do të behët nga fermerët brenda datës 31 dhjetor, për furnizimet e kryera gjatë periudhës janar–qershor të vitit përkatës dhe brenda datës 30 qershor të vitit pasardhës, për furnizimet e kryera gjatë periudhës korrik–dhjetor të vitit paraardhës.
Fermeri, nëpërmjet shërbimit postar ose në rrugë elektronike, dorëzon në administratën tatimore kërkesën standarde për kompensim. Kërkesa duhet të përmbajë vlerën totale të faturave të lëshuara përgjatë periudhës së kompensimit, si dhe numrin e llogarisë bankare të fermerit.
Kjo kërkesë shoqërohet edhe me kopje të faturave të lëshuara nga blerësi të cilat duhet të jenë të firmosura nga shitësi-fermer.
Por kush përfiton kompensim? Për të përfituar kompensim fermerët duhet të plotësojnë disa kushte.
Konkretisht, qarkullimi vjetor nuk duhet të tejkalojë kufirin minimal të regjistrimit për TVSH- në; të ketë kryer furnizime të produkteve bujqësore; të ketë furnizuar persona të tatueshëm që nuk përfitojnë nga skema e kompensimit në Republikën e Shqipërisë, të cilët janë të regjistruar për TVSH-në dhe ushtrojnë aktivitet si grumbullues ose/dhe përpunues i produkteve bujqësore apo agroturizëm i certifikuar sipas legjislacionit në fuqi për turizmin; është pajisur me një numër identifikimi të personit të tatueshëm; faturat e marra nga blerësi, mbi bazën e së cilave kërkohet kompensimi janë të fiskalizuara dhe regjistruara në bazën e të dhënave të administratës tatimore qendrore.
Norma e kompensimit në masën 10% zbatohet mbi vlerën e faturës/ave tatimore që grumbulluesi i ka lëshuar fermerit, përgjatë periudhës gjashtëmujore, për të cilën kërkohet kompensimi.
Kompensimi ka për qëllim të mbulojë një pjesë të TVSH-së së paguar prej fermerëve në çmimin e blerjes së mallrave e shërbimeve, të blera për nevoja të kryerjes së aktivitetit të tyre prodhues bujqësor.
Administrata tatimore bën verifikimet përkatëse dhe brenda 30 ditëve paguan shumë e kompensimit direkt në llogarinë e fermerit.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.