Një histori prekëse ka mbërritur në emisionin “Historia Ime”, ku një grua 31-vjeçare, nënë e një djali të vogël, që po e rrit e vetme, tregoi se babai i fëmijës së saj, i cili nuk jeton në Shqipëri, jo vetëm që nuk kujdeset për djalin, por as e ka njohur kurrë. E vetme, si grua dhe nënë, ajo e ka jetuar martesën e saj vetëm shumë pak muaj, më pas papritur dhe pse ishte shtatzanë, çdo gjë ndryshoi, raporti në çift u shkëput dhe ajo ngeli në udhëkryq e vetme, pa rrugëzgjidhje, pa dashuri, pa mbështetje dhe pa kuptuar përse ndodhi kështu.
Entela Zeneli, 31 vjeç, jeton në Kombinat. Kur ishte 27 vjeçe, u njoh me shkuesi me dikë që jetonte në Itali. Mbas 1 muaji takimesh, bënë celebrimin dhe ikën të dy në Itali. Entela ngeli shtatzanë dhe e zbuloi kur ishte 2 muajshe. Ia tha bashkëshortit, por ai këmbëngulte ta hiqte fëmijën, me preteksin se nuk ishte gati të bëhej baba. Entela ia doli ta bindte që ta mbanin dhe e mbajti fëmijën.
“2 muajt e para kur shkova në Itali ishim shumë mirë. Kur zbulova se isha shtatzënë aty ndryshoi gjithçka. Ne jetonim me motrën e tij dhe ata nuk e donin fëmijën. Arsyet e tyre ishin që nuk keni mundësi ta mbani, e keni jetën përpara, donin të më hiqnin fëmijën. Hyri motra e tij në mes dhe ajo ishte shkaku që nisën të gjitha problemet.
Ajo ja mbushi mendjen që ta hiqnim fëmijën, thoshte duhet të punoni, keni jetën përpara dhe nisën sherret. Më çuan në një klinikë private për të hequr fëmijën. Unë nuk arrija ta kuptoja, i thashë që nuk do e heqim. Kam firmosur dhe një letër pa vetëdije se nuk e kuptoja as gjuhën, i kundërshtova dhe në momentin që kam shkuar në shtëpi e kam grisur, thashë fëmijën nuk e heq dhe pikë.
Më pas kemi dalë nga shtëpia e saj, kemi ndejtur në hotel, biseduam dhe i thashë unë do kthehem tek mami derisa të gjesh një shtëpi dhe të rregullosh gjërat e tjera. Mua më mbaronin letrat 3 mujore. Kur u ktheva në Shqipëri kemi folur rreth 10 ditë, pas dy javësh ai mbyll telefonin dhe çdo gjë.
E detyruan që edhe ajo të mos më fliste, i thoshin po fole me të nuk të kemi më nënë, nuk të përkrahim, nuk të mbështesim. Pak para Vitit të Ri, më çoi një mesazh dhe më tha që nëse do të vish në Itali, hiq fëmijën, unë isha gati 4 muajshe, por nuk e bëra këtë gjë, unë s’mund të hiqja fëmijën tim”, ka rrëfyer Entela.