Transporti publik konsiderohet si një nga vendet me rrezikshmëri më të lartë për përhapjen e koronavirusit. Tejmbushja e urbanëve mbetet një nga shqetësimet e qytetarëve prej shumë kohësh. Por çfarë do të vendoset kur do të duhet t’i rikthehemi punës? Ende nuk ka një plan për sesi do të mund të funksionojë transporti publik në Shqipëri, por në Itali po mendohet për një mënyrë që do të mund t’u lejohet qytetarëve t’i përdorin.
Kur do të rikthehet transporti publik si do ndryshojë mënyra?
Në dysheme do të jenë të ngjitura paralajmërime me ngjyrë të kuqe dhe simbolin e këmbëve, ku shkruhet: “Qëndro këtu”.
Kjo është fushata që po testohet për menaxhimin e fazës 2. Sipas këtij modeli , në trena dhe metro, rrathët do të shërbejnë për të treguar distancën që do të duhet të mbajnë udhëtarët, pozicionet e sakta për të mos qëndruar shumë pranë të tjerëve.
Gjithashtu po shihet mundësia që bizneset sipas zonave, të ndryshojnë orarin e punës, ta zgjasin atë me turne dhe përgjatë 7 ditëve të javës, në mënyrë që të shmangen flukset në transportin publik.
Në ditët e para pas lajmit se koronavirusi ndodhet edhe në Shqipëri, më 9 mars, nisi dezinfektimi i autobusëve. Kjo ishte një nga masat e marra, veç shkurtimit të orarit të qarkullimit të tyre dhe paksimit të numrit.
Deri më tani ende nuk është bërë publik një plan sesi mund të funksionojë transporti urban dhe interurban, me lejimin e qarkullimit. Një nga kushtet që duhet të zbatojnë kompanitë që mbledhin punonjës me autobus është ulja e tyre në anësoret e dritareve, duke lënë një hapësirë rreshti bosh pas tyre./ Referuar Corriere