Pse po shtrenjotohen banesat në Shqipëri, flasin agjentët imobiliarë

Edhe për vitin 2022, çmimet e pasurive të paluajtshme do të vijojnë të jenë të larta e të papërballueshme për qytetarët.

Nëse dikush kërkon të blejë një hyrje apartamenti në zonën e Bllokut apo në qendër të Tiranës, do të përballet me çmime që shkojnë deri në 3.500 euro metri katror. Ndërsa ndër zonat më të lira në kryeqytet, agjentët imobiliarë rendisin Freskun apo Astirin, ku çmimet variojnë deri në 700 euro metri katror.

Agjentët imobiliarë rendisin disa arsye pse shtëpitë në Tiranë kushtojnë kaq shtrenjtë, përfshirë edhe rritjen e materialeve të ndërtimit që importohen.

LEFTER SILA

AGJENT IMOBILIAR

“Rritja ka filluar që nga viti 2015 kur filluan ndërtimet e reja. Janë çmime të larta në krahasim me periudhat e kaluara. Zonat ku ka filluar të bëhen komplekse të mirëfillta, kanë pasur një rritje më të madhe çmimesh sepse është krijuar një komunitet mjaft i mirë dhe me shumë shërbime.”

Sipas agjentëve, ky nivel i lartë çmimesh ishte i papritur për tregun.

LEFTER SILA

AGJENT IMOBILIAR

“Aty ku kanë filluar ndërtimet masive, nuk pritej kjo rritje në asnjë mënyrë. Çmimet janë shumë të larta, kërkesa nuk do të jetë kaq e madhe sa të përballojë këto ndërtime që po bëhen.”

Ndërtimi dhe aktiviteti i pasurive të paluajtshme nuk e ndjenë krizën pandemike, ndryshe nga sektorët e tjerë, duke shpëtuar vendin nga një rënie e fortë ekonomike gjatë 2020.