Thursday , April 24 2025

Kupa shkatërroi “Final Four”, Partizani-Elbasani mund të përsëritë dështimin epik të formulës

Formula e “Final Four” e krijuar nga FSHF, kishte si qëllim që të bënte interesante garën për titullin, por edhe atë për Europën. Kësisoj, ajo u planifikua jo vetëm me finalen e madhe, por edhe me ”finalen e vogël”, atë të vendit të tretë.

Si teori, ndeshja në fjalë duhej të përcaktonte kush shkon në Europë nëpërmjet kampionatit. Por për të dytin vit radhazi, kjo skemë mund të dëshorjë në mënyrë epike dhe kjo ndeshje të mos ketë asnjë lloj vlere.

Në vitin e kaluar, ndeshja e vendit të tretë për kualifikimin në Ligën e Konferencës, u luajt mes Vllaznisë dhe Skënderbeut të përjashtuar nga UEFA, duke bërë pa shkelmuar topin e parë ekipin shkodran të sigurt për kualifikimin. Dhe meqë titulli dhe Kupa u fituan nga Egnatia, në Europë për më tepër shkoi vendi i pestë në renditje që as nuk shkoi në “Final Four”, Tirana.

Këtë sezon, ndeshja e tretë nuk do të ketë përsëri pikën e kuptimit pasi aty mund të ndeshen dy skuadra që kanë siguruar automatikisht kualifikimin. Nëse Partizani nuk ia del të mposhtë Elbasanin në javën e fundit të kampionatit, do të jenë verdheblutë ata që sigurojnë fazën që luhet për titullin. Dhe meqë në finalen e Kupës janë dy skuadra të tjera të “Final Four”, Egnatia dhe Dinamo, atëherë të katër skuadrat e miniturneut do ishin automatikisht të kualifikuara. E vetmja enigmë do të mbetej ajo se kush fiton finalen e madhe për titullin dhe vendin në Ligën e Kampioneve. Finalja e vogël do të ishte prova e radhës të një dështimi epik të skemës.

E.KUKA-PANORAMASPORT.AL