Kumbaro dhe Llatja vizitë në gjimnazin “Kostandin Kristoforidhi”: Rikonstruksioni ka rritur potencialet dhe cilësinë e shkollës

Gjimnazi “Kostandin Kristoforidhi” në Elbasan është rikonstruktuar duke përmirësuar dhe modernizuar ambientet për mbi 600 nxënësit e tij me laboratorë, klasa e terrene të reja sportive, si dhe mjedise shtesë që do t’i shërbejnë mësimdhënies dhe aktiviteteve komunitare.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, vizitoi nga pranë shkollën, një investim i Ministrisë së Arsimit dhe bashkisë Elbasan ku u shoqërua edhe nga kryebashkiaku Gledian Llatja.

“Shkolla pas rindërtimit dhe shtimit të hapësirave ka gjithë potencialin të zhvillojë edhe programe si ai “Art dhe Zeje”. Me kryetarin e bashkisë kemi një projekt që duam ta zhvillojmë, me qëllim që përveç këtyre gjërave ‘tekno’ të merremi pak edhe me natyrën”, tha ministrja Kumbaro.

Kryetari i bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja tha se “Me rikonstruksionin total të shkollës u bënë dhe shtesa, për t’iu përgjigjur numrit të madh të nxënësve. Gjithashtu terrenet sportive janë të reja dhe ambientet me ngrohje qendrore, sisteme emergjence, etj”.

Ndërkohë në qarkun e Elbasanit, nis së shpejti edhe rikonstruksioni i shkollës “Dhaskal Todri”, si dhe janë në projekt ritransformimi edhe dy gjimnaze të tjera.