Në nisje të emisionit “Opinion” në Tv Klan, ku diskutohet për sasinë e mishit të pulës, që ishte i kontaminuar me salmonelë, gazetari Blendi Fevziu ndau një informacion shumë të rëndësishëm për qytetarët.
Nga studioja ai tregoi foton e paketimit të mishit të pulës që përmban salmonelë dhe që ka qarkulluar në tregun vendas. (Shih foton më sipër!)
“Kjo është paketa që kush e ka blerë të mos e konsumojë. Nuk duhet konsumuar, duhet të kthehet mbrapsht sepse përmban salmonelë”, tha Fevziu.
Kujtojmë se më 21 Mars nga analizat e kryera nga AKU u konfirmua prania e bakterit të rrezikshëm te mishi i pulës në një sasi prej 7.8 ton e importuar nga Brazili. AKU sekuestroi 5.2 ton mish tek importuesi, por 2.6 ton të tjera janë shpërndarë në tregun shqiptar dhe mund të jenë konsumuar.
Sipas inspektimeve të deritanishme që ka bërë AKU në supermarkete dhe në pika shitjesh nuk është gjetur asnjë paketim me mish pule që përmbante salmonelë. Diçka që ngre alarmin se 2.6 ton mish janë konsumuar nga qytetarët, ose më e pakta ndodhte në frigoriferët e banesave të tyre./tvklan.al