Sunday , July 6 2025

Kryetari Llatja në krye të operacionit për shuarjen e zjarrit në landfill: Zjarri u fik, Elbasani drejt normalizimit

Që prej datës 1 korrik, qyteti i Elbasanit po përballet me një situatë të rëndë mjedisore, pas një zjarri të përmasave të mëdha që ka përfshirë landfillin e qytetit. Flakët, të favorizuara nga temperaturat ekstreme dhe era e fortë, kanë përhapur tym dhe ndotje në një sipërfaqe të konsiderueshme, duke shkaktuar shqetësime për qytetarët.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka qenë personalisht në krye të operacionit që prej ditës së parë të shpërthimit të zjarrit. Me një reagim publik në faqen e tij zyrtare, ai ka vlerësuar përpjekjet e jashtëzakonshme të të gjithë forcave të angazhuara në terren dhe ka shprehur ndjesën e tij ndaj qytetarëve për vështirësitë e krijuara.

“Kërkoj ndjesë ndaj qytetarëve të Elbasanit për shqetësimet e shkaktuara nga tymi dhe ndotja gjatë këtyre ditëve të nxehta,” shkruan Kryetari Llatja, duke theksuar se të gjitha kapacitetet njerëzore dhe logjistike janë në terren për të përballuar situatën.

Aktualisht, mbi 100 forca dhe dhjetëra mjete janë të përfshira në operacionin për neutralizimin e zjarrit, në bashkëpunim të ngushtë mes strukturave vendore dhe qëndrore. Vatra është izoluar, por puna për shuarjen e saj të plotë vazhdon pa ndërprerje.

Pavarësisht se një pjesë e kapaciteteve është zhvendosur për të përballuar edhe disa vatra zjarri në zona pyjore, Kryetari garanton se angazhimi i Bashkisë për të rikthyer normalitetin në qytet mbetet maksimal. Ai ka shprehur mirënjohjen e tij për të gjitha strukturat e përfshira dhe ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional në menaxhimin e emergjencës.