Wednesday , June 25 2025

Kryetari i Bashkisë Elbasan merr pjesë në simpoziumin e Bankës Botërore për ndryshimet klimatike dhe të ardhmen e qyteteve në Europë

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, mori pjesë në simpoziumin ndërkombëtar të organizuar nga Banka Botërore mbi ndikimet e ndryshimeve klimatike dhe të ardhmen e qyteteve në Europë. Aktiviteti u zhvillua me pjesëmarrjen e drejtuesve të lartë të pushtetit vendor nga vende të ndryshme të kontinentit, ekspertëve të mjedisit dhe përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare.

Gjatë simpoziumit u trajtuan sfidat që përballen qytetet europiane përballë krizës klimatike, duke u vendosur theksi te rëndësia e zhvillimit të qëndrueshëm urban, rritjes së eficencës energjetike dhe përfshirjes së komuniteteve në vendimmarrje mjedisore.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku Llatja ndau përvojën e Bashkisë Elbasan në përballimin e sfidave mjedisore, me theks te masat konkrete të marra për reduktimin e ndotjes, menaxhimin e mbetjeve, gjelbërimin e hapësirave urbane dhe projektet për transport të qëndrueshëm. Ai nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe mbështetjes së partnerëve si Banka Botërore për të ndërtuar qytete më të qëndrueshme dhe më të jetueshme për brezat e ardhshëm.

“🌍🌆 Pjesëmarrës si Kryetar i Bashkisë së Elbasanit në Simpoziumin e Bankës Botërore për ndryshimet klimatike dhe të ardhmen e qyteteve në Evropë.

Në këtë aktivitet të rëndësishëm, pata mundësinë të ndaj angazhimet dhe hapat konkretë që po ndërmerr Elbasani për t’u përshtatur me sfidat e ndryshimeve klimatike, si një nga 100 qytetet pjesë e *EU Mission Cities* — programi ambicioz i BE-së për klimë-neutrale dhe qytete të qëndrueshme deri në vitin 2030.

Elbasani po punon me përkushtim për të ulur emetimet, për të rritur efikasitetin energjetik dhe për të përfshirë komunitetin në ndërtimin e një të ardhmeje më të gjelbër. Falë bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe vizionit tonë të përbashkët, jemi të vendosur ta bëjmë qytetin tonë një model të qëndrueshmërisë urbane.

Falenderojmë gjithashtu Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për bashkëpunimin në hartimin e Planit Lokal të Adaptimit ndaj ndryshimeve klimatike për Bashkinë e Elbasanit”-shkruan Llatja ne rrjetin e tij social facebook.

Pjesëmarrja në këtë simpozium përforcon angazhimin e Elbasanit në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe integrimit në rrjetet ndërkombëtare të qyteteve që kontribuojnë aktivisht në luftën kundër ndryshimeve klimatike.