Krenari nga Elbasani: dy vajza shqiptare vendosin drejtësi në Champions

Dy arbitre shqiptare do të jenë në qendër të vëmendjes në një nga përballjet më të rëndësishme të futbollit europian për vajza. Emanuela Rusta dhe Mirjeta Salla, të dyja nga Elbasani, janë përzgjedhur për të gjykuar sfidën e madhe të Ligës së Kampioneve mes Volsburg dhe Lion për femra.

Kjo ndeshje konsiderohet si një “finale e parakohshme”, pasi përballë janë dy nga klubet më të suksesshme dhe më të forta në futbollin e vajzave në Europë. Ekipi francez i Lyonit ka një histori të pasur me trofe në këtë kompeticion, ndërsa Wolfsburgu mbetet një rival i përhershëm dhe pretendent serioz për triumfin final.

Përzgjedhja e Rustës dhe Sallës për këtë takim të nivelit të lartë është një vlerësim i madh për arbitrimin shqiptar. UEFA u beson zakonisht ndeshje të tilla vetëm gjyqtareve me përvojë dhe performancë të qëndrueshme në arenën ndërkombëtare, çka tregon nivelin e lartë profesional që kanë arritur dy arbitret shqiptare.

Emanuela Rusta, e cila shpesh ka qenë në rolin e arbitres kryesore në ndeshje ndërkombëtare, ka ndërtuar një reputacion të fortë për vendimmarrje të drejtë dhe kontroll të lojës. Nga ana tjetër, Mirjeta Salla ka spikatur si asistente e besueshme, duke qenë pjesë e disa takimeve të rëndësishme në kompeticionet europiane.

Ky është një moment krenarie jo vetëm për qytetin e Elbasanit, por për të gjithë futbollin shqiptar, pasi dëshmon se edhe në arbitrim, Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë respekt në skenën ndërkombëtare.

Ndeshja mes Wolfsburgut dhe Lyonit pritet të jetë spektakolare, me ritëm të lartë dhe cilësi të madhe loje, ndërsa sytë do të jenë jo vetëm te yjet në fushë, por edhe te dy arbitret shqiptare që do të mbajnë drejtësinë në një sfidë kaq prestigjioze.