Ministria e shëndetësisë në një dalje të fundit për median ka njoftuar se janë 8 persona që i janë nënshtruar që mbrëmë procesit të ekzaminimit ndërkohë janë gjurmuar edhe 24 persona të tjerë të cilët janë vetkarantinuar. Të gjithë këta persona kanë patur kontakte të ngushta dhe më pak të ngushta me 2 të infektuarit e mbrëmjes së djeshme.
Përfaqësuesja e task-forcës për shëndetësinë mjekja Silva Bino deklaroi:
“Menjëherë pas daljes së ekzaminimeve, të testimeve, janë marrë mostrat përkatëse të cilat janë në proces dhe nga ana tjetër edhe sot janë gjurmuar 24 kontakte të cilët janë vetëkarantinuar dhe po ju merren mostrat përkatëse dhe janë këshilluar në lidhje me masat. Janë gjurmuar 8 raste të cilët kanë patur kontakte të ngushta.
Gjithashtu ne kemi gjurmuar gjatë gjithë ditës kjo vetëm kontaktet të ngushta por edhe ato më të largëta, për të qenë më të sigurtë. Jemi në fazën që të kufizojmë sa më tepër përhapjen e sëmundjes ndaj është i rëndësishëm bashkëpunimi me qytetarët.
Gjatë gjithë kohës janë gjurmuar në Tiranë të gjithë personat që kanë patur kontakte me 2 personat që kanë rezultuar pozitiv me Koronavirus”, tha Bino.