Ndërsa koronavirusi, ose ndryshe Covid-19, po përhapet në të gjithë botën, marrja e informacionit të saktë në lidhje me sëmundjen bëhet gjithnjë e më e rëndësishme.
Dhe duke qenë se jemi në epokën e mediave sociale, pjesa më e madhe e informacioneve buron pikërisht prej aty. Këto janë platformat, të cilat po ofrojnë një territor të përshtatshëm, për ata që duan të përhapin dezinformata.
Në Facebook janë krijuar grupe që kundërshtojnë vaksinat dhe ata që bëjnë fushatë kundër rrjeteve të telefonisë celulare 5G. Shumë prej informacioneve që po qarkullojnë flasin për një lidhje midis virusit dhe rrjeteve të reja 5G.
Shumë faqe në internet dhe video të publikuara e lidhin koronavirusin me përhapjen e 5G në pjesë të ndryshme të Kinës. “5G u lëshua në Wuhan disa javë përpara shpërthimit të koronavirusit”, shkruhet në një nga titujt që po qarkullon së fundmi në internet.
Videot e tjera në YouTube flasin për teori konspirative, sipas së cilave pasagjerët e anijes së lundrimit “Diamond Princess”, ishin prekur nga virusi sepse përdornin teknologjinë 5G.
Një tjetër teori është se virusi ishte krijuar në një laborator dhe u lirua me qëllim nga qeveria kineze apo amerikane. Në një artikull të publikuar nga “Technocracy News” shkruhet: Është duke u bërë mjaft e qartë se koronovirusi është një bio-armë e inxhinierizuar, që u lëshua me qëllim ose aksidentalisht.
Por së fundmi, Facebook ka filluar të marrë masa për luftimin e dizinformatave. Nëse gjeni një grup kundër vaksinimit shfaqet një mesazh që thotë: Mësoni pse Organizata Botërore e Shëndetit rekomandon vaksinimet për të parandaluar shumë sëmundje.
Gjithashtu kontrolluesit hetojnë pretendime të dyshimta dhe kur ata vlerësojnë informacionin si të rremë, kompania kufizon përhapjen e saj në Facebook dhe Instagram.
Një zëdhënës i YouTube tha që kompania ishte e angazhuar për të siguruar informacion të dobishëm dhe për të zvogëluar përhapjen e dezinformatave të dëmshme.