Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka miratuar në mbledhjen e tij të fundit disa dokumente të rëndësishme strategjike që do të udhëheqin punën e bashkisë në katër vitet e ardhshme. Për hartimin e tyre është ngritur një grup pune i posaçëm, i cili ka zhvilluar diskutime të gjata dhe konsultime me aktorë të ndryshëm, për të siguruar që planet të pasqyrojnë sa më mirë nevojat e qytetarëve.
Kodi i Sjelljes së Bashkisë Elbasan përcakton standardet e etikës dhe integritetit në administratën vendore, duke synuar rritjen e profesionalizmit, komunikimit public, korrektësisë dhe transparencës në marrëdhënien me qytetarët. Kodi parashikon gjithashtu trajnime të rregullta dhe masa disiplinore për shkeljet.
Plani i Integritetit 2025–2028 ka për qëllim forcimin e mekanizmave kundër korrupsionit, përmirësimin e llogaridhënies, si dhe krijimin e një administrate më të hapur ndaj qytetarëve përmes publikimeve proaktive dhe sinjalizimit të shkeljeve.

Plani Vendor i Arsimit Parauniversitar është hartuar për të përmirësuar infrastrukturën arsimore, për të garantuar kushte më të mira për nxënësit dhe mësuesit, si dhe për të nxitur dixhitalizimin dhe gjithëpërfshirjen në arsim, në përputhje me prioritetet kombëtare dhe procesin e integrimit europian.
Rishikimi i Planit të Veprimit për Mbrojtjen Sociale sjell masa konkrete për përmirësimin e shërbimeve ndaj grupeve më vulnerabël, përfshirë të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, gratë dhe fëmijët në nevojë, si dhe për pakicat rome e egjiptiane, me qëllim rritjen e aksesit në arsim, punësim dhe strehim.
Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, theksoi se miratimi i këtyre dokumenteve është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të qeverisjes vendore.
“Këto plane nuk janë thjesht dokumente formale, por udhërrëfyes të qartë për mënyrën se si do të punojmë në vitet e ardhshme për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe për të garantuar një administratë më transparente dhe më afër njerëzve,” u shpreh ai.