Këshilli Bashkiak Elbasan nderon pas vdekjes me titullin “Qytetar Nderi”, Aristir Lumezi

Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka nderuar pas vdekjes gazetarin dhe kryeredaktorin e gazetës “Panorama”, Aristir Lumezi me titullin e lartë “Qytetar Nderi”, në vlerësim të kontributit të tij të jashtëzakonshëm në gazetarinë shqiptare.

Mirënjohja iu dorëzua, djalit të tij Antonios Lumezi, si simbol i trashëgimisë profesionale dhe njerëzore që Lumezi la pas, duke formuar breza të rinj gazetarësh dhe duke vendosur standarde etike në median shqiptare.

Me një karrierë mbi dy dekada, Aristir Lumezi shërbeu si gazetar i politikës dhe kryeredaktor i Gazetës Panorama, duke u shquar për profesionalizëm, korrektësi dhe përkushtim ndaj informimit të saktë të publikut. Në motivacionin e titullit theksohet kontributi i tij i çmuar si gazetar, pedagog dhe drejtues redaksie, që ndikoi drejtpërdrejt në rritjen e profesionalizmit  të gazetarisë shqiptare.

Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja gjatë dorëzimit të titullit  u shpreh se figura të tilla mbeten shembull frymëzimi për brezat e rinj, duke dëshmuar se përkushtimi, etika dhe dashuria për profesionin janë vlera që i rezistojnë kohës.