Kreu i Kadastrës Shqiptare Artan Lame, ka bërë sot thirrje për drejtorë të rinj në zyrat e institucionit që ai drejton. Sipas Lames, do të largohen nga detyra të gjithë drejtorët e komanduar dhe atë që nuk kanë justifikuar punën. “Bëhet fjalë për shumicën e drejtorive të Republikës të cilat kanë ose drejtues të komanduar, ose drejtues që nuk e justifikuan veten. Do vijojë dhe një thirrje e dytë për specialistë të niveleve të tjera. Kadastra shqiptarë tashmë është ngarkuar me disa funksione që dikur i kanë pasur institucione të tjera,” u shpreh Artan Lame.
Më tej, ai pranoi zvarritjet në zyrat e Kadastrës dhe tha se ka drejtuar që nuk ju kanë shërbyer qytetarëve.
“E pranoj publikisht se në zyrat tona në shumë raste nuk janë në lartësinë e duhur, veçanërisht në aspektin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Ka zvarritje të ankesave të tyre, ka mungesë profesionalizmi në zbatimin e tyre. Në këto kushte dëshiroj të shpall sot hapjen e thirrjes për drejtues të rinj në një pjesë të madhe të zyrave rajonale të Kadastrës,” shtoi kreu i Kadastrës.