Kastrioti vjen në Elbasan, 7 mistere thellojnë skandalin! Nuk dihet kush mori vendimin dhe çfarë ndodhi me trukimin

Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar se ndeshja Kastrioti-Bylis, që nuk u zhvilluar të dielën e shkuar, do të luhet më 19 prill në “Elbasan Arena”.

Mirëpo kjo do të ishte e mjaftueshme nëse ndeshja, fjala vjen, nuk do të ishte luajtur për shkaqe natyrore apo për motive që nuk përbëjnë ndonjë skandal. Për ata që kanë harruar, ndeshja nuk u luajt se familjarët e gjyqtarit kryesor të asaj ndeshjeje, Juxhin Xhaja, u kërcënuan me jetë. Dhe ky është një skandal i madh. Por shumë të dyshimta janë edhe lëvizjet që po bën Federata Shqiptare e Futbollit. Pse? Mjafton të lexoni si më poshtë deklaratën e djeshme të institucionit, ku thuhet se: “Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të informojë komunitetin e futbollit dhe opinionin publik se ndeshja KastriotiBylisi, e vlefshme për javën e 28-të të Abissnet Superiore, e planifikuar për t’u zhvilluar më datë 9 prill 2023, do të zhvillohet të mërkurën e datës 19 prill në stadiumin ‘Elbasan Arena’, duke filluar nga ora 15:00.

“FSHF-ja është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet ligjzbatuese për zbardhjen e ngjarjes së rëndë të ndodhur me zyrtarët e ndeshjes. Hetimet janë duke vazhduar dhe në të njëjtën kohë presim që gjithçka të sqarohet sa më parë në mënyrë që gara të vazhdojë normalisht deri në fund. Klubi Kastrioti do t’i luajë të gjitha ndeshjet e mbetura deri në fund të sezonit në stadiumin “Elbasan Arena” për shkak se Policia e Shtetit nuk merr përsipër garantimin e sigurisë në stadiumin “Kamza”.

ANALIZA

Në këtë komunikatë të shkurtër të FSHF-së për ata që përdorin logjikën dalin në pah disa probleme serioze. Le t’i analizojmë me radhë:

1) Kush e mori vendimin për spostimin e ndeshjes më 19 prill në Elbasan? Kur thuhet “federata vendosi” duhet sqaruar se cili organ e merr këtë vendim: presidenti? Sekretari i Përgjithshëm, Komiteti Ekzekutiv? Komisioni i Disiplinës? Sektori i garave? Sepse me teorinë “federata vendosi” mund të vazhdohet më vonë me vendime të tjera si në kohën e monizmit “partia vendosi”, por nuk mban askush përgjegjësi…?!

2) Nëse FSHF-ja pranoi se Kastrioti kishte kërcënuar arbitrin Kreshnik Bajramaj që të anulonte golin e Laçit në ndeshjen që kurbinasit humbën 2-1, atëherë çfarë ndodh me Kastriotin tani, sepse kështu paska trukuar rezultatin? Çfarë ndodh me një skuadër që trukon rezultatin? Do të vazhdojmë sikur nuk ka ndodhur asgjë?

3) Pse nuk i merr përsipër policia ndeshjet në stadiumin e Kamzës? Janë më të fortë policët e Elbasanit apo ata të Kamzës janë më pak trima?

4) Nëse policia nuk merr përsipër ndeshjet në Kamzë të Kastriotit për shkak se stadiumi nuk përmbush kushtet, kush e licencoi Kastriotin që t’i luante ndeshjet aty gjithë sezonin?

5) Nëse FSHF-ja i tha opinionit publik se arbitrat nuk pranonin që të arbitronin ndeshjet e Kastriotit, si do ta zgjidhin këtë problem tani? Cilët prej tyre do të dërgojnë? Kush ka guximin të drejtojë Kastriotin ndërkohë që nuk është arrestuar askush pas kërcënimeve ndaj Juxhin Xhajës dhe familjarëve të tij? Kush ka guximin të shkojë kur shikojnë se Kastrioti ia hedh pa u lagur edhe sportivisht?

6) Pse federata nuk mblodhi Komisionin e Disiplinës dhe Etikës dhe të shqyrtonte me emergjencë këtë rast skandaloz?

7) Nëse më vonë Disiplina dhe Etika dënojnë Kastriotin sa ndikon kjo në pastërtinë e garës? Panorama Sport