Kapiteni i Elbasanit, Bruno Lulaj, foli për “Panorama Sport” pas barazimit pa gola me Teutën, duke theksuar rëndësinë e vazhdimësisë dhe angazhimit të skuadrës. Lulaj vuri në pah atmosferën e jashtëzakonshme që krijuan tifozët e Elbasanit dhe nevojën për të marrë maksimumin në çdo ndeshje.
Për të, sfidat e ardhshme janë një mundësi për të ruajtur kryesimin dhe për të treguar forcën e skuadrës në të gjithë kampionatin.Ai komentoi gjithashtu performancën mbrojtëse të ekipit, duke e parë moslejen e golave si një element pozitiv për vazhdimësinë.
Kapiteni shpjegoi se objektivi kryesor është të përmirësohen vazhdimisht dhe të minimizohen gabimet, duke ndjekur çdo ndeshje hap pas hapi, me synimin e madh për të synuar titullin në fund të sezonit. Lulaj foli edhe për rivalët kryesorë, duke vlerësuar Egnatinë dhe Vllazninë si ekipe të forta që mund të sfidojnë Elbasanin gjatë kampionatit, por ai mbetet i përqendruar te vetja dhe performanca e skuadrës së tij.
Lulaj, e mbyllët me një barazim ndaj Teutës, si ndiheni?
Sigurisht që ndihemi sikur kemi lënë dy pikë, sepse po luanim në shtëpinë tonë, pranë tifozëve tanë. Duam gjithnjë maksimumin dhe tri pikët në Elbasan, sepse tifozët e meritojnë. Siç e patët edhe sot (të shtunën), ambienti ishte një spektakël më vete dhe i falënderojmë shumë për këtë mbështetje. Gjithsesi, janë gjëra që ndodhin në futboll dhe mund të ketë ditë ‘jo’. Ndoshta nuk ishim në ditën tonë më të mirë dhe do punojmë fort të korrigjojmë ato gjëra që nuk shkuan aq mirë në mënyrën e duhur siç kemi qenë në ndeshjet e kaluara, në mënyrë që javët në vazhdim të jemi më mirë dhe të afrohemi tek fitoret.
Sërish Elbasani nuk pëson gol, a është një shenjë pozitive kjo për vazhdimësinë?
Patjetër, sepse nëse nuk mund të fitosh, të paktën të mos humbasësh dhe kjo arrihet kur nuk pëson gol. Po tregojmë që deri tani jemi shumë të fortë në mbrojtje, njihemi më mirë me djemtë e këtij reparti dhe kemi një komunikim më të mirë. Është për t’u vlerësuar edhe kjo gjë që nuk pësojmë gol. Kuptohet që më mirë do të ishte të kishim fituar, por duhet të pranojmë edhe një pikë.
Edhe kjo pikë ju mban në krye, shpresoni ta mbani gjatë?
Ky është objektivi. Por, në radhë të parë ne shohim të marrim ndeshjet një e nga një, kampionati është shumë i gjatë dhe të bëjmë sa më pak gabime. Oshilacionet do të ekzistojnë, sepse është e pamundur në futboll të jesh gjithnjë perfekt, do të ketë edhe ditë jo të mira. E rëndësishme është që gabimet të jenë sa më të pakta dhe me sa më pak dëm.
Ndeshja e radhës me Vllazninë, si e prisni?
Vllaznia është një ekip për t’u vlerësuar, por në radhë të parë do të vlerësojmë veten tonë. I kam ndjekur dhe kanë një ekip shumë të mirë me lojtarë cilësorë, por ne do të shkojmë aty të bëjmë detyrën tonë dhe të marrim maksimumin.
Në duar keni trofeun si lojtari i ndeshjes, për herë të dytë në pesë ndeshje. Trofeun e madh (kampionatit) po e prisni?
Me ndihmën e Zotit, ëndrrat janë për t’u realizuar… Do të shpresojmë deri në fund, do i shohim ndeshjet një e nga një, janë edhe 31 javë ende. Hap pas hapi dhe ndeshje pas ndeshje, është herët ende të flasim për në maj.
Cilët shihni si rivalët e Elbasanit?
Nuk kemi luajtur me të gjitha ekipet. Egnatia është një ekip që ka qenë shumë lartë vitet e fundit. Edhe Vllaznia ka shumë lojtarë cilësorë, ndaj mes këtyre të dyjave e shoh rivalitetin.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL