Kalendar “i egër”, verdheblutë e Elbasanit stonojnë me rivalët

Ivan Gvozdenoviç e nisi me humbjen aventurën tek Elbasani, teksa pa të përmbysej nga Vllaznia në një ndeshje, ku ishin të gjitha mundësitë për të marrë të paktën një pikë. Edhe pse kaluan të parët në avantazh, elbasanasit dolën pa pikë dhe kjo ishte hera e parë për këtë edicion që ata përmbysen.

PROBLEMI ME RIVALËT – Kur thuajse është mbyllur gjysma e kampionatit, për Elbasanin ka dalë në pah një problem jo i vogël. Kjo skuadër nuk arrin të fitojë ndaj rivalëve për 4-shen e parë. Në asnjë rast verdheblutë nuk kanë marrë pikë të plota në dy ndeshje me Egnatian, Dinamon dhe Vllazninë, si dhe në një kundër Partizanit, kundërshtarit të radhës.

Kjo ecuri ndaj rivalëve tregon qartë se verdheblutë ende nuk e kanë pjekurinë që u duhet për të mundur pretendentët. Diferencën e pikëve në tabelë e kanë bërë pikërisht ndeshjet me rivalëte, sepse ndaj të ashtuquajturve “të vegjël” Elbasani në përgjithësi i ka marrë pikët e veta.

KALENDAR “I EGËR” – Trajnerit Ivan Gvozdenoviç nuk i vjen aspak në ndihmë as kalendari, sepse tri ndeshjet e fundit të këtij viti i ka jashtë fushe. Në Shkodër humbi me Vllazninë, ndërsa tani ka përpara dy prova të tjera “zjarri”. E radhës është ajo në kryeqytet ndaj Partizanit, njërit prej pretendentëve kryesorë për titull këtë sezon.

Ndeshja e parë në Elbasan është mbyllur mes polemikash në barazim pa gola. Pas sfidës me të kuqtë verdheblutë do të shkojnë në Korçë për t’u ndeshur me Skënderbeun vendës për javën e parë të fazës së tretë. Këtë kundërshtar tekniku aktual i Elbasanit i njeh mjaft mirë, sepse e ka drejtuar deri disa ditë më parë.

Të dyja ndeshjet e deritanishme me korçarët kanë përfunduar në barazim. Pas këtyre dy sfidave vijnë pushimet dhe hapet merkatoja, por për Gvozdenoviç dhe Elbasanim ky vit mbyllet jashtë shtëpisë dhe për më tepër me ndeshje të forta.

PANORAMASPORT.AL