Kacollja: Pushimi ndihmoi Elbasanin, ndaj Vorës duhen 3 pikët

Pas dy javëve jo të mira në kampionat, Elbasani kërkon të rikthehet te rezultatet pozitive në përballjen e radhës me Vorën. Një nga ish-futbollistët verdheblu, Mardian Kacollja, ka dhënë mendimin e tij për “Panorama Sport” për nisjen e këtij sezoni tek Elbasani dhe pritshmëritë që kanë elbasanasit.

Ai fillimisht ndalet tek pushimi i shkurtër, duke pohuar ka ardhur në momentin e duhur për ekipin, si për ta ndihmuar në aspektin fizik ashtu edhe në atë psikologjik. “Unë mendoj se ky pushim i ka bërë mirë skuadrës së Elbasanit. Ishte një pauzë që erdhi në momentin e duhur, duke parë që rezultatet në dy javët e fundit nuk kanë qenë pozitive. Klubit i është dhënë mundësia të reflektojë, të punojë më qetë dhe të rikuperojë disa nga lojtarët që kanë pasur probleme fizike. Besoj se do të kthehen më të freskët dhe më të motivuar për pjesën tjetër të kampionatit”, është shprehur fillimisht ishmbrojtësi.

MUNGESAT – Kacollja nuk e fsheh se dëmtimet kanë qenë një pengesë e rëndësishme për ekipin, megjithatë thekson se grupi ka karakter dhe nuk dorëzohet lehtë. Sipas tij, edhe nëse grupi është i kompletuar, jo të gjithë lojtarët mund të japin të njëjtin rendiment. “Për çdo skuadër janë të rëndësishme mungesat, sado një grup të kompletuar të kesh. Ka elementë që nuk zëvendësohen dot lehtë. Elbasani ka qenë disi i pafat me dëmtimet, veçanërisht në javët e fundit, pasi mungesat kanë qenë të lojtarëve titullarë. Kjo sigurisht që ndikon në lojë dhe në ekuilibrat e skuadrës, por gjithsesi skuadra ka treguar se di të reagojë, edhe pse rezultati në javën e fundit me Vllazninë nuk ishte pozitiv”, theksoi më tej Kacollja.

VORA – Në lidhje me përballjen e radhës, Kacollja shprehet se respekti ndaj kundërshtarit është i domosdoshëm, por Elbasani duhet të imponojë lojën e tij dhe i ka të gjitha shanset që të rikthehet tek fitorja. “Me Vorën duhet treguar kujdes, është një skuadër që di të të vërë në vështirësi dhe ka treguar në këtë fillim kampionati që ka potencial. Por, duke qenë se luajmë në shtëpi, nuk duhet menduar asnjë rezultat tjetër veç fitores. Duhet të tentojmë patjetër maksimumin dhe kam besim se do të rikthehemi te fitorja. Për ne është e rëndësishme të bëjmë lojën tonë, të jemi agresivë dhe të përfitojmë nga mbështetja e tifozëve, që gjithmonë na japin forcë shtesë”, vijoi Mardian Kacollja.

OBJEKTIVI – Në fund, Kacollja flet edhe për objektivat sezonalë, duke nënvizuar se Elbasani duhet të ruajë stabilitetin dhe të qëndrojë gjithmonë pranë vendeve të para, sepse diferenca do të bëhet në fund dhe nuk ka nevojë për presion që tani. “Final 4 është plotësisht i arritshëm, edhe pse kampionati është shumë i gjatë. Nuk ka pse të fillojmë të shqetësohemi që tani për pozicionin në renditje. E rëndësishme është të jesh gjithmonë aty pranë, një vend më lart apo më poshtë nuk prish punë, sepse llogaritë e vërteta do të nisin në fazën e fundit. Grupi ynë ka cilësi dhe karakter për ta arritur këtë qëllim”, mbylli prononcimin e tij për gazetën ish-mbrojtësi i skuadrës së Elbasanit.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL