Tuesday , May 13 2025

Jo vetëm kampione, Luiza Gega gati për statusin më të bukur. Pranon largimin nga pista

Ajo do të jetë gjithnjë kampione e garave të atletikës, kampione Ballkani e Europe, por tani me tërheqjen e ngadaltë nga pista, po merr rolin e trajneres. Luiza Gega po i përkushtohet zbulimit të talenteve të reja dhe forcimit të frymës sportive te të rinjtë.

Në fund të intervistës së saj në “Aldo Morning Show” në Tv Klan, teksa Aldo po e përshëndeste duke e quajtur “zysh Luiza”, ajo u shpreh e gatshme edhe për disa statuse të tjera.

Aldo: Shpresojmë të quhesh pak më vonë “zonja” apo temë tjetër?

Luiza Gega: Ose “mami”, ose… ka plot statuse!

 Kjo nuk është hera e parë që atletja ka shprehur dëshirën për t’u bërë nënë. Ajo e ka ndarë këtë edhe “Në kurthin e Piter Pan” vitin e kaluar dhe në “Jo Vetëm Modë”, ku ka thënë se “mezi pret të bëhet nënë”.

Që prej vitit 2017, kampionia Luiza Gega ka hapur akademinë e saj të atletikës ku fëmijë të moshave të ndryshme i përkushtohen disiplinave të ndryshme të këtij sporti. Atletja shpjegon në “Aldo Morning Show” në Tv Klan se ka edhe fëmijë që e zhvillojnë paralelisht me sporte të tjera duke ndihmuar performancën e tyre. Ajo ndan në program gëzimin që ndien kur i drejtohen si “zysh Luiza” dhe kjo çoi natyrshëm drejt pyetjes nëse është tërhequr nga sporti.

Kampionia e Europës nuk e fshehu dot edhe ndjesinë e vështirë të largimit si sportiste aktive duke marrë tanimë statusin e trajneres.

Luiza Gega: Më mungon në fakt kjo pjesa e emocioneve, kompeticionet sepse kam kaluar më shumë se gjysmën e jetës sime duke ia dedikuar 24 në 24 dhe është e vështirë kur një sportist është mësuar gjithmonë me emocione shumë të mëdha, me adrenalinë shumë të madhe dhe e ka shumë të vështirë këtë pjesën e kapërcimit që ti duhet të bëhesh gati që karriera jote nuk është si shumë karriera të profesioneve të tjera./tvklan.al