Jepet lajmi i mirë/ Elbasani drejt furnizimit me ujë 24 orë në ditë

Një nga objektivat më të rëndësishëm për qytetin e Elbasanit, furnizimi i qëndrueshëm me ujë të pijshëm 24 orë në ditë, po bëhet realitet falë investimeve të reja që po ndërmerren në këtë drejtim.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Teknik të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, është miratuar projekti “Rehabilitimi i rrjetit të ujësjellësit të qytetit të Elbasanit”, një ndërhyrje e rëndësishme që do të mundësojë përmirësimin e ndjeshëm të furnizimit me ujë për të gjithë qytetarët.

Ky projekt parashikon modernizimin e rrjetit ekzistues, uljen e humbjeve teknike, si dhe rritjen e cilësisë së shërbimit, me qëllim që çdo banor i Elbasanit të ketë ujë të pijshëm pa ndërprerje, 24 orë në ditë.

Në këtë mbledhje mori pjesë edhe Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, i cili vlerësoi miratimin e projektit si një hap të madh përpara në përmirësimin e jetesës së qytetarëve dhe forcimin e shërbimeve bazë që garanton bashkia.

Ai theksoi se Bashkia Elbasan do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me institucionet qendrore për të siguruar që çdo investim të sjellë ndikim real në përditshmërinë e komunitetit.

Me këtë projekt, Bashkia Elbasan po rrit standardet e shërbimeve publike dhe po e kthen qytetin në një model të qëndrueshëm, të pastër dhe me infrastrukturë moderne që i përgjigjet nevojave të çdo banori.