Monday , June 16 2025

“Jehona e Maleve të Kuqe” , festa  që riktheu fuqishëm traditat e librazhdasve  në zemër të Qarrishtës

        Nga Fatmir Popja

Këtë fundjavë  që lamë pas , ish-sektori i sharrave në Qarrishtë të Njësisë Administrative Qendër në Bashkinë Librazhd u mbush me jetë, ngjyra, muzikë, këngë e valle . Festa “Jehona e Maleve të Kuqe” u kthye në një manifestim të vërtetë të shpirtit komunitar, të trashëgimisë dhe dashurisë për vendin. Në një nga zonat më piktoreske të Parkut Kombëtar Shebenik, ku pyjet frymojnë histori dhe rrënjët flasin shqip u mblodhën qindra pjesëmarrës nga Qarrishta, Gizaveshi, Dorëzi, Librazhd Katundi,Librazhd Qendër, Togëzi ,Dragostunja dhe çdo cep i zonës dhe përtej saj.

Për shumë prej vizitorëve, kjo ishte hera e parë që ngjiteshin rrugës që të çon drejt Qarrishtës, një vend plot histori e tradita me të cilat krenohet një krahinë e tërë. Pamjet e rralla dhe qetësia që mbretëronte rrugës, përmes gjelbërimit të dendur dhe cicërimave të zogjve e bënin udhëtimin një përvojë në vetvete për të gjithë ata që udhëtonin për herë të parë drejt kësaj perle të natyrës shqiptare. Ndërsa vizitorët mbërritën në sheshin natyror të festës u përballën me një atmosferë magjepsëse,tinguj e zëra melodiozë natyrorë, hapa të butë mbi tapetin barin e njomë dhe freskia e ujit të kristaltë që rridhte pranë  si një simfoni natyrore që pasqyron harmoninë mes njeriut dhe tokës së tij.Nën moton “Jehona që s’shuhet, kujtesa që rri zgjuar përjetë” në festë nuk munguan flamujt kombëtarë, kostumet tradicionale, përqafimet e mallëngjyera mes miqve dhe të afërmve që takoheshin pas shumë vitesh. Për emigrantët e ardhur nga vende të ndryshme të Europës, kjo ditë ishte shumë më tepër se një festë ,ishte rikthim në vendlindje , një rikthim aty ka kanë rrënjët e tyre.

“Këtë festë e kemi ëndërruar. Është si të rikthehesh në rini,” tha një i moshuar nga Qarrishta me lot në sy e zemër të ngrohtë.Ndërsa një emër i njohur i skenave muzikore që këndoi për herë të parë përpara komunitetit të të kësaj zone u shpreh:“Ishte sikur kisha gjithë malin pas vetes.”Përgjatë gjithë ditës, skena natyrore e festës “Jehona e Maleve të Kuqr” u gjallërua nga performanca e artistëve të njohur si Hatixhe Lushi, Hysni Hoxha, Artur Teta, Asllan Alla, Shkëlqim Brahja dhe të tjerë. Vallet tradicionale të fëmijëve që mësonin nga artistët u ndërthurën me energjinë e DJ Albanit që ndezi atmosferën deri në orët e vona të mbrëmjes.Fëmijët u bënë pjesë aktive e festës duke mësuar dhe kërcyer vallet karakteristike të zonës, një shenjë se trashëgimia vazhdon të jetojë përmes brezave të rinj.Kjo festë nuk do të kishte qenë e mundur pa përkushtimin e organizatorëve, me në krye Fatmir Brazhdën dhe të rinjtë e fshatit Dorëz, të cilët u kujdesën që çdo detaj të ishte në vendin e duhur. Në fjalën e tij përshëndetëse, Brazhda theksoi:“Ky vend dikur ishte sektor i sharrave, sot është zemra e bashkimit tonë. Këtu festojmë, këndojmë dhe kujtojmë se kush jemi.”Festa u organizua nga shoqatat vendore të Qarrishtës, Dorëzit, Librazhd Katundit dhe Dragostunjës, me mbështetjen e Njësisë Administrative Qendër dhe ADZM Elbasan, duke treguar fuqinë e bashkëpunimit për promovimin e trashëgimisë dhe zhvillimin e zonës.

Përtej emocioneve dhe argëtimit, “Jehona e Maleve të Kuqe” ishte një dritare që i dha zë potencialit turistik të Parkut Kombëtar Shebenik. Kjo zonë e pasur me bukuri natyrore dhe vlera kulturore përfaqëson një destinacion që meriton më shumë vëmendje, investim dhe promovim.Kryebashkiaku i Librazhdit Mariglen Disha dhe Deputeti i zgjedhur i PS ,Olsi Komici gjatë fjalës përshëndetëse në këtë festë premtuan se për këtë zonë turistike do të bëhet gjithçka që ajo të kthehet në një destinacion të rëndësishëm të turizmit malor të Librazhdit .Ndërkohë në fund të ditës, ndërsa pjesëmarrësit u larguan të lodhur, por të buzëqeshur, në ajër mbeti një ndjesi e veçantë ,sikur vetë malet kishin folur.“ Jehona e maleve në Qarrishtë nuk është vetëm një tingull, është një zë që i thërret të gjithë që mos harrojnë kush janë ,” thanë të moshuarit që dikur punonin në këtë vend, tashmë të kthyer në simbol të kujtesës dhe shpresës.“Jehona e Maleve të Kuqe” nuk është thjesht një festë, është një premtim që trashëgimia jonë do të vazhdojë të rrojë në gjurmët e çdo hapjeje, në melodinë e çdo kënge dhe në frymën e bashkimit që kjo tokë ngjall.”